Nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, Enno Bozdo shkruan se, Bashkimi Europian ndan të njëjtin qëndrim si dhe Partia Demokratike, në lidhje me ligjin e ri të miratuar nga PS për portet turistike.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bozdo shkruan se, ky ligj bie ndesh me parimet e konkurrencës dhe transparencës së Bashkimit Evropian!
Reagimi i deputetit të PD, Enno Bozdo:
BE sot faktoi qëndrimin e Partisë Demokratike:
Ligji i Porteve Turistike nuk është vetëm klientelist, ashtu siç është edhe Ligji për Investimet Strategjike, por mbi të gjitha bie ndesh me parimet e konkurrencës dhe transparencës së Bashkimit Evropian!
Jo më larg se e enjtja e kaluar, deputetët e PD e denoncuan në Kuvend këtë ligj si korruptiv dhe anti BE!
PS nuk deshte të dëgjonte asnjë nga argumentat tanë. Madje e mbrojti me forcë projektligjin! Kjo tregon sa larg është kjo mazhorancë nga vlerat e BE-së, dhe se retorika e saj mbi integrimin evropian është e gënjeshtërt!
Edi Rama e do BE-në për të mashtruar opinionin, por nuk i do aspak standardet e saj qeverisëse, antikorrupsion dhe pro ekonomisë konkurruese.
Reagimi i BE për “News24”
Delegacioni i Bashkimi Evropian në Tiranë reagoi sot për “News24” lidhur me ndryshimet e fundit në ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”, të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë.
Delegacioni thekson se është në dijeni të miratimit të këtyre ndryshimeve dhe se ato do t’i nënshtrohen një vlerësimi të detajuar nga shërbimet përkatëse të BE-së, veçanërisht në aspektin e prokurimit publik dhe përputhshmërisë me legjislacionin europian. Sipas BE-së, kuadri ligjor i unionit kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe në sektorin e porteve turistike. “Ne jemi në dijeni se Parlamenti miratoi ndryshime në Ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”. Ndryshimet do të duhet të vlerësohen nga afër nga shërbimet tona, veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet.
Gjithashtu kuptojmë se teksti i ri përfshin dispozita të pranishme në Ligjin për Investitorët Strategjikë. Ky është një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë si pjesë e hapave të Agjendës së Reformave dhe në kuadër të kushteve përmbyllëse për Kapitullin 27. Shqipëria duhet të përmbahet nga çdo hap që bie ndesh me këto angazhime”, thuhej në reagim.
