Pavarësisht presionit ndërkombëtar për të rritur prodhimin, kabineti i Arabisë Saudite, i kryesuar nga mbreti Salman bin Abdulaziz, ripohoi angazhimin e tij ndaj marrëveshjes OPEC +, një pakt i bërë nga 10 prodhuesit kryesorë të naftës së papërpunuar dhe Rusia për të pompuar gradualisht më shumë naftë në treg për të përmbushur kërkesën – tha të martën një deklaratë e agjencisë shtetërore të lajmeve saudite.

Kabineti u informua mbi një telefonatë të mbajtur midis Princit të Kurorës të Arabisë Saudite, Mohamed bin Salman dhe presidentit francez Emmanuel Macron të dielën, ku mbretëria shprehu dëshirën e saj “për stabilitetin dhe ekuilibrin e tregjeve të naftës”, tha agjencia shtetërore e lajmeve.

Çmimet e naftës u rritën mbi 100 dollarë për fuçi pasi Rusia nisi një pushtim të Ukrainës javën e kaluar, duke rritur presionin mbi një ekonomi globale që tashmë po lëkundet nga inflacioni i shfrenuar.

Ekonomia ruse është shumë e varur nga të ardhurat nga nafta dhe gazi dhe Moska dëshiron që çmimet të mbeten të larta. Arabia Saudite është nën presion të madh nga ekonomitë e zhvilluara për të rritur prodhimin.

Kabineti saudit diskutoi “situatën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në tregjet e energjisë, dhe vendosmërinë e Mbretërisë për stabilitetin dhe ekuilibrin e tregjeve të naftës dhe angazhimin e saj ndaj marrëveshjes (OPEC Plus), tha Agjencia Saudite e Shtypit.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, kabineti saudit bëri thirrje gjithashtu për “de-përshkallëzimin” dhe një “zgjidhje politike në Ukrainë”. Ky është reagimi i parë zyrtar saudit ndaj pushtimit rus, i cili filloi javën e kaluar.

Arabia Saudite – një aleat i madh i SHBA-së – nuk ka paraqitur një qëndrim pro-perëndimor për pushtimin rus të Ukrainës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: