KOSOVË-Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se përveç LDK-së, ai ka pasur oferta për koalicion edhe nga partitë tjera. Por pas deklaratës së tij ka ardhur reagimi i Nismë për Kosovën, në të cilin thuhet se përkundrazi, pas lutjeve dhe vardisjeve të vazhdueshme që Hashim Thaçi i ka bërë kësaj të fundit për koalicion, Nisma e ka refuzuar kategorikisht një gjë të tillë. Ja reagimi i plotë i Nismës për Kosovën:

Pas deklaratës së Kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit në Kuvend se ka pasur kërkesë nga NISMA për Kosovën, për hir të informimit të drejtë të të gjithë opinionit publik, deklarojmë se: Pas lutjeve dhe vardisjeve të vazhdueshme që Hashim Thaçi i bëri NISMA-s për t’u takuar dhe pas refuzimit tonë kategorik që të ndryshojmë angazhimet që kishim marrë nga votuesit tanë për një qeverisje ndryshe, Hashim Thaçi na luste që të pinim së paku nga një kafe! Refuzimi për të pirë qoftë edhe një kafe me te mbështetet në atë se e njihnim mirë! Gënjeshtrat e tij të sotme në Kuvendin e Kosovës dëshmuan tërësisht se ai kërkonte takim për të manipuluar. Tani edhe ndërmjetësuesit që na i dërgonte Hashim Thaçi, shokë tanë të përbashkët, e kuptuan se kishim plotësisht të drejtë që nuk pranuam asnjëherë të takohemi me atë që gënjeshtrën e ka shndërruar në profesion! Kemi qenë të bindur dhe mbesim me bindje të plotë se Kosovës i duhet një qeverisje NDRYSHE dhe pikërisht për këtë arsye nuk i kemi pranuar vardisjet e Hashim Thaçit!’-thuhet në deklaratën e Nisma për Kosovën.

(o.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb