TIRANE- Kreu i Departamentit të Sigurisë Ushqimore pranë Partisë Agrare Ambientaliste, Dritan Laçi ka reaguar me anë të një deklarate për shtyp, lidhur me skandalet e ditëve të fundit sa i takon pasigurisë ushqimore. Laçi theksoi se qeveria Rama vazhdon të shkojë në drejtimin e kundërt sa i takon këtij sektori.

“Jam sot përpara jush për një apel që ka lidhje me sigurinë e jetës tonë dhe të fëmijëve tanë. Të gjithë sot jemi dëshmitarë të rasteve të përsëritura të sëmundjes së njerëzve nga konsumi i mishit të pakontrolluar. Shqipëria tashmë është një vend kandidat i BE, dhe si në të gjithë sektorët dhe në sektorin e sigurisë ushqimore, partnerët tanë vazhdojnë të kontribuojnë intensivisht që Shqipëria të arrijë objektivat në përafrimin dhe zbatimin e legjislacionit europian, që është garanti i sigurisë ushqimore. Qeveria Rama vazhdon të shkojë në drejtimin e kundërt.”, tha Laçi.

Ndër të tjera ai shtoi se: “Me paaftësi të tejskajshme dhe papërgjegjshmëri përjashton shërbimin veterinar nga organika e strukturave të qeverisjes vendore duke krijuar vakum legjislativ me anë të ligjit nr. 139/2015 Për vetëqeverisjen Vendore. Funksioni i këtij shërbimi ishte kontrolli i kafshëve para dhe pas therjes në thertore si dhe certifikimin e mishit, një funksion thelbësor që në shtëpitë tona të arrijë mish i sigurt për konsum:

-Qeveria Rama a nuk po rrezikohet seriozisht shëndeti i fëmijëve tanë?
-Qeveria Rama kush e kontrollon sot kafshën para dhe pas therjes?
-Qeveria Rama kush po certifikon mishin sot?
Qytetarë shqiptarë, Partia Agrare Ambiantaliste do të vëzhgojë dhe do të denoncojë rast pas rasti çdo shkelje të rregullave të sigurisë ushqimore në mënyrë që të kontribuojë në mirëqenien dhe në jetën tuaj.
Ne si Parti Agrare Ambientaliste nuk lejojmë më të zhvleftësohet mundi dhe djersa e fermerit të vendit tonë, kontributin e specialistëve të bujqësisë në mënyrë që zinxhiri i sigurisë ushqimore nga ferma në tavolinë të jetë i garantuar.”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: