Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, i ka mohuar spekulimet se ai do të jetë trajner i Juventusit për sezonin e ardhshëm, duke thënë se do të qëndrojë për të paktën edhe dy vjet në Angli.

Sot u raportua se Pep Guardiola ka arritur marrëveshje për t’u bërë trajner i Juventusit, në fund të këtij sezoni. Gazetari, i cili e kishte zbuluar transferimin e Cristiano Ronaldos verën e kaluar, thotë se spanjolli tashmë ka marrëveshje me klubin italian, transmeton Gazeta Express.

E ardhmja e Allegrit është në dyshim pas humbjes befasuese 2:0 nga Atletico Madridi, në ndeshjen e parë në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve. Këshilltari i trajnerit italian, Giovanni Galeone, ka thënë se Allegri do të largohet nga “Zonja e Vjetër” në një të ardhme të afërt.

Drejtuesit e Juventusit e kanë bërë të qartë se ata synojnë ta fitojnë titullin e Ligës së Kampionëve dhe për ta arritur këtë gjë, gjatë sezoneve të fundit kanë bërë shumë investime, si blerjen e Cristiano Ronaldos për 117 milionë euro.

Edhe pse Guardiola nuk ka arritur ta fitojë titullin e kësaj gare prestigjioze evropiane që kur u largua nga Barcelona, me Bayern Munichun dhe Manchester Cityn, “Zonja e Vjetër”  raportohet se beson se trajneri spanjoll mund ta përsërisë këtë sukses me klubin italian. Mirëpo, këtë gjë e ka mohuar Guardiola.

“Unë te Juventus? Kam edhe dy vite të mbetura në kontratën time kështu që një largim i imi është i pamundur, vetëm nëse më shkarkojnë”, u shpreh Guardiola në konferencën për shtyp, pas ndeshjes me Watfordin. Do të qëndroj edhe dy vite këtu, mbase edhe më shumë. Nuk do të shkoj te Juventus në dy sezonet e ardhshme”.//GazetaExpress

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb