Jashtë çdo gare në këtë sezon, Reali Madridit u kthye te fitorja për të marrë tri pikë të rëndësishme në objektivin për të mos shkruar rekordin më negativ në historinë e tij. Skuadra e drejtuar nga Zinedin Zidan mundi 3-2 Vijareal për të vulosur matematikisht vendin e tretë në La Liga. Mariano Diaz pas vetëm dy minutash lojë kaloi “los blancos” në epërsi, ndërsa e shpejtë ishte përgjigja e miqve, që me Moreno barazuan shifrat.
Gjithsesi në fundin e pjesës së parë, Vahejo ndali sërish topin në rrjetë për të kthyer në avantazh formacionin madrilen. Pas pushimit, Mariano Diaz shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për Realin. Në minutën e katërt shtesë, Kosta zbuti humbjen e Vijareal, por nuk prishi suksesun e të besuarve të Zidan që ngushtojnë diferencën me dy kryesuesit e renditjes.
Me titullin e fituar javën e shkuar, Barcelona është e fokusuar vetëm te Champions dhe me skuadrën e dytë u mund 2-0 në fushën e Celta Vigo.
I njëti diskutim edhe për Atletico Madrid, që me vendin e dytë të sigurt dhe pa asnjë motivim në këtë fund të sezonit u dorëzua 3-0 në transfertën kundër Espanjol.
Një fitore të rëndësishme në misionin Champions siguroi Valencia, e cila me rezultatin tenistik 6-2 triumfoi në fushën e Hueskas të vendit të fundit dhe me biletën e prerë për në një kategori më poshtë.
(balkanweb)