Më 21 maj Mali i Zi kremtoi dy dekada që nga referendumi historik që hapi rrugën për shkëputjen e tij nga bashkimi shtetëror me Serbinë.
Festimet e përvjetorit zhvillohen në një atmosferë të krijuar nga reputacioni i vendit si “nxënësi i shembullor” i Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në BE.
Gjatë viteve të fundit, Podgorica ka arritur të riaktivizojë negociatat e saj të bllokuara për anëtarësim në BE, të përshpejtojë reformat dhe të pozicionohet si vendi kryesor në rajon për t’u anëtarësuar në BE, në një kohë kur Brukseli ka rinovuar interesin për të pranuar anëtarë të rinj.
“Është e lehtë të jesh nxënësi më i mirë në një klasë me nxënës të dobët,” tha për DW Daliborka Uljarevic nga Qendra për Edukim Qytetar në Podgoricë.
Vërejtja e saj pasqyron kontekstin më të gjerë rajonal. Ndërsa pjesa më e madhe e Ballkanit Perëndimor ka mbetur në vend numëro, ose madje është kthyer pas në rrugën drejt Bashkimit Evropian, Mali i Zi ka arritur të përfitojë nga momenti gjeopolitik i krijuar nga lufta pushtuese e Rusisë në Ukrainë dhe nga fokusi i ripërtërirë i BE-së për zgjerim.
Referendumi për pavarësi
Mali i Zi shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2006, pas një referendumi mjaft të kontestuar dhe me pjesëmarrje të lartë, ku 55.5% e votuesve mbështetën largimin nga bashkimi me Serbinë.
Për 14 vitet që pasuan vendi u drejtua nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e udhëhequr nga lideri afatgjatë Milo Gjukanoviç.
Gjatë viteve qeveria e Gjukanoviqit u përball me akuza të përsëritura për korrupsion dhe lidhje midis elitave politike dhe krimit të organizuar, ndërsa kritikët gjithnjë e më shpesh e përshkruanin Malin e Zi si një “shtet të kapur”.
DPS humbi pushtetin në vitin 2020 pas muajsh protestash masive dhe tubimesh të udhëhequra nga kisha kundër një ligji të diskutueshëm për pronat fetare, gjë që nxiti transferimin e parë demokratik të pushtetit që nga pavarësia.
“Mali i Zi është një nga vendet e rralla në rajon që kishte kapacitet të mjaftueshëm demokratik për të zëvendësuar një njeri që kishte qenë në pushtet për kaq gjatë pa trazira të mëdha,” thotë Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonalizëm në Novi Sad, Serbi. “Nëse e shohim Serbinë, kjo do të jetë shumë më e vështirë për t’u arritur,” shtoi ai për DW.
Skena politike në Malin e Zi vazhdon të dominohet nga ndarja mes kampit pro-sovranitet dhe atij pro-serb, e cila e ka formësuar vendin që nga pavarësia.
Njëra palë thekson identitetin e veçantë kombëtar malazez dhe shtetësinë, ndërsa pala tjetër i sheh malazezët si pjesë të kombit më të gjerë serb dhe favorizon lidhje të ngushta politike, kulturore dhe fetare me Serbinë.
Sipas regjistrimit më të fundit të vitit 2023, rreth 41% e qytetarëve identifikohen si malazezë dhe rreth 33% si serbë — një balancë që ndikon fuqishëm në zgjedhjet dhe politikat e koalicioneve.
Partitë pro-serbe janë ndër aktorët kryesorë politikë në vend dhe shpesh shihen si kanali kryesor përmes të cilit Beogradi mban ndikim në çështjet e brendshme të Malit të Zi. Zyrtarisht, këto dy kampe politike kanë arritur konsensus për synimin e Malit të Zi për t’u anëtarësuar në BE.
Jozyrtarisht, sipas Aleksandar Popov, ky balancim mbetet i brishtë dhe i ndjeshëm ndaj ndikimit nga Beogradi. “Forcat pro-serbe […] gjithmonë mund të pengojnë rrugën evropiane me një sinjal nga Beogradi — dhe kjo tashmë po ndodh,” tha Popov.
“Ne ju deshëm më shumë se ju ne”
Marrëdhëniet me Serbinë kanë mbetur një nga çështjet më të ndjeshme politike për Podgoricën. Kjo u ilustrua qartë nga reagimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiç ndaj një ftese për të marrë pjesë në festimet e përvjetorit të pavarësisë së Malit të Zi.
Vuçiq fillimisht tha se pjesëmarrja në festë do të ishte si “t’i pështysh vetes dhe popullit tënd në fytyrë”.
Më vonë, ai iu drejtua drejtpërdrejt qytetarëve malazezë në një opinion: “Nuk na shqetësuat. Ne ju shihnim si motra dhe vëllezër dhe donim të jetonim në të njëjtin shtet me ju. E pranoj, ne jemi fajtorë — na falni që ju deshëm më shumë sesa ju na deshët ne,” shkroi Vuçiq.
Si e sheh Beogradi Malin e Zi
Si Uljarevic ashtu edhe Popov besojnë se Beogradi kurrë nuk e ka pranuar plotësisht pavarësinë e Malit të Zi. Sipas Uljareviq, Serbia ende sillet ndaj Malit të Zi “sikur të ishte një territor i humbur përkohësisht.”
Popov beson se për këtë arsye, Beogradi do të vazhdojë të bëjë gjithçka që mundet për të ngadalësuar progresin e Malit të Zi drejt BE-së. “Serbia nuk dëshiron që Mali i Zi të anëtarësohet në BE, sepse kjo do të minonte argumentin kryesor të Vuçiqit se ‘Evropa nuk na do’. Nëse Mali i Zi hyn në BE, do të bëhet e qartë se problemi i vërtetë qëndron diku tjetër,” tha Popov për DW.
Ai argumenton se anëtarësimi në BE do ta vendoste Malin e Zi përtej sferës së Beogradit — politikisht, juridikisht dhe në aspektin e sigurisë — dhe do ta largonte atë nga sfera e ndikimit të Serbisë.
Të njëjtat probleme të vjetra
Megjithatë, Uljareviq paralajmëron se pas imazhit pozitiv të Malit të Zi si një histori suksesi rajonal fshihen shumë nga problemet e njëjta që e kanë shoqëruar vendin që nga pavarësia.
“Korrupsioni është ende kudo,” tha ajo. “Disa madje do të thoshin se është më i shtrenjtë tani se më parë, sepse ka shumë më tepër aktorë në pushtet që përpiqen të kënaqin interesat partiake dhe personale,” shtoi ajo. Në të njëjtën kohë, ajo beson se Mali i Zi duhet të shfrytëzojë momentin aktual të integrimit në BE si një mundësi për ndryshime më të thella institucionale dhe shoqërore, dhe jo vetëm si një rrugë e shkurtër gjeopolitike drejt anëtarësimit. “Interesi ynë absolut është të bëhemi sa më shpejt një shtet anëtar i BE-së, por është po aq e rëndësishme që procesi të kryhet si duhet dhe që të mos hyjmë në union si një shtet me mangësi,” tha ajo./DW/
