Një sondazh i publikuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, i titulluar “Besimi në Qeverisje” për vitin 2021 tregon se shumica e shqiptarëve ndjehen të pasigurtë në jetën e tyre të përditshme, ndërsa 41% e të anketuarve dëshirojnë të largohen nga vendi.

Arsyet kryesore të ndjenjës së pasigurisë, sipas sondazhit, janë kriminaliteti, padrejtësia, niveli i papunësisë, problemet me shëndetin si dhe fatkeqësitë natyrore.

Sondazhi i opinionit publik ‘Besimi në qeverisje’ është një ushtrim i përvitshëm që përdoret për të matur besimin e qytetarëve tek institucionet publike; si dhe çështje të tilla si transparenca dhe llogaridhënia institucionale; përhapja e korrupsionit në institucionet shtetërore; niveli i angazhimit të qytetarëve në politikëbërje; kënaqshmëria me ofrimin e shërbimeve publike dhe zbatimi i ligjeve dhe politikave jodiskriminuese.

Sondazhi është realizuar gjatë periudhës kohore 6-21 nëntor 2021 dhe është fokusuar në pjesmarrës nga 61 bashki të Shqipërisë.

Korrupsioni mbetet një ndër problemet madhore të Shqipërisë, ndërkohë që besimi i qytetarëve shqiptarë tek institucionet e ndjekjes penale vazhdon të mbetet i ulët.

“83.1% e shqiptarëve e perceptojnë korrupsionin e nivelit të ulët si të përhapur ose shumë të përhapur, ndërkohë që 83.7% e perceptojnë korrupsionin e madh apo të nivelit të lartë me një përhapje të tillë,” thuhet në raport.

Pesë institucionet që u renditën si më të korruptuarat në 2021 ishin gjyqësori, ndjekur nga institucionet e kujdesit shëndetësor, administrata publike, institucionet vendore dhe policia.

Lidhur me këtë fenomen duket se pjesa më e madhe e të anketuarve nuk kanë besim tek ndëshkimi apo ndjekja penale e korrupsionit prej organeve ligjzbatuese.

“68.4% e qytetarëve nuk kishin besim te ndjekja penale e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, ndërkohë që 59.3% nuk kishin besim në ndjekjen efektive penale të rasteve të korrupsionit të nivelit të ulët,” shtohet më tej.

Mungesa e transparencës është gjithashtu një nga problemet shqetësuese.

“Më shumë se gjysma e të anketuarve i konsiderojnë qeverinë qendrore (57.4%) dhe bashkitë (58.2%) si jo transparente,” tregojnë rezultatet e sondazhit.

Nga ana tjetër, qytetarët e anketuar shprehen më besimplotë tek organizatat ndërkombëtare në Shqipëri, sesa tek vetë institucionet vendase. Përkatësisht, 77% e të anketuarve besojnë se organizatat ndërkombëtare i kërkojnë llogari qeverisë më tepër se sa institucionet vendase.

“Organizatat si NATO (73.2%), OKB (71.4%), dhe BE (71.3%) e ruajtën renditjen e tyre si institucionet më të besuara në Shqipëri,” shtohet në raport.

Shumica e të anketuarve (72.2%) raportuan se nuk kanë mjaftueshëm mundësi për të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes së institucioneve publike, por ata shohin si më efikasë për nxitjen e llogaridhënies në vend institucionin e KLSH-së, ndjekur nga Parlamenti dhe media./ Reporter.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb