TIRANË- Presidenti i Republikës Bujar Nishani, ashtu siç paralajmëroi ka zhvilluar një takim konsultues me konstitucionalistë dhe ekspertë të jurisprudencës mbi procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pas ngërçit të krijuar.

Takimi ka zgjatur 1 orë e 40 minuta dhe kishte karakter konsultativ, ku është diskutuar dhe janë shkëmbyer mendime e pikëpamje mbi procesin ligjor të shqyrtimit dhe të përzgjedhjes me anë të shortit të kandidaturave për anëtarët e ardhshëm të Këshillit e Emërimeve të Drejtësisë.

Duke i falënderuar pjesëmarrësit për diskutimet e mendimet e vyera si dhe sugjerimet racionale dhe ndihmuese, Kreu i Shtetit ripërsëriti dhe theksoi qëndrimin e tij se çdo akt ligjor që del nga Institucioni i Presidentit të Republikës bazohet mbi sjelljen institucionale, do të jetë i mirëargumentuar dhe i përgjegjshëm, në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Takimi vjen pasi Kreu i Shteti tha se nuk mund të mbledhë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ndërsa ligji për vetingun nuk është miratuar ende nga parlamenti.

Për këtë arsye, Nishani ka thirrur gjithashtu në një takim që do të zhvillohet nesër edhe krerët e grupeve parlamentare.

Të premten, Kreu i Shtetit bëri me dije se amendamentet e reja kushtetuese hyjnë në fuqi më 11 gusht. Në këtë mënyrë, duhet të krijohet Këshilli i Emërimit në Drejtësi (KED) deri më 16 gusht.

“Neni 149/d, përcakton në pikën 3 që Këshilli i Emërimeve përbëhet nga 9 anëtarë që zgjidhen me short nga Presidenti brenda pesë ditësh nga hyrja në fuqim, ndërsa pika 5 përcakton që kriteret e tjera për shkallën e kualifikikmit të kandidatëve parashikohen me ligj. Pra Presidenti ndodhet në një situatë kur Kushtetua i kërkon të zgjedhë dhe po Kushteuta i kërkon që kriteret e atyre që kandidojnë përcaktohen me ligj, ndërkohë që nuk kemi ligj ende për këtë”, tha Nishani.

Në këtë mënyrë, Presidenti i Republikës nuk mund ta ushtrojë dot funksionin e tij për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Emërimëve për Gjyqësorin, pasi nuk ka të përcaktuara me ligj kriteret që gjenden në paketën e 7 ligjeve që ende nuk janë miratuar.

Por, edhe po të votohen në seancën më të afërt, do të duhen 15 ditë që të hyjnë në fuqi, çka e tejkalon datën 16 gusht që përcakton Kushtetuta për ushtrimin e detyrës së Presidentit të Republikës.

“Kam parashikuar që në kuadër të përpjekjeve dhe angazhimeve të ftoj për një takim konsultativ përfaqësues nga grupet parlamentare të Kuvendit për të diskutuar brenda këtij qëllimi qasjen më të mirë zgjidhjen më të përshtatshme si dhe me ekspertë të drejtësisë. Jemi në një situatë kontradiktore”,- tha Nishani.

Në rast se ky afat tejlalohet, atëherë i takon Kuvendit kompetenca për ngritjen e institucionit në fjalë, sqaroi më tej kreu i shtetit për mediat.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb