Ndarja administrative-territoriale e Shqipërisë nuk mund të trajtohet vetëm si një problem teknik i hartës së bashkive. Ajo lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si organizohet shteti, si shpërndahen kompetencat publike, si ushtrohet demokracia në nivel vendor dhe sa pranë qytetarit ndodhet administrata. Për këtë arsye, reforma territoriale duhet parë në të paktën tri plane të ndërlidhura: në planin kushtetues, në standardet europiane të vetëqeverisjes vendore dhe në kuadrin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kushtetuta e lidh ndarjen administrativo-territoriale me nevojat dhe interesat e përbashkëta ekonomike dhe me traditën historike. Ajo parashikon gjithashtu se ndryshimi i kufijve të njësive të qeverisjes vendore nuk mund të bëhet pa marrë më parë mendimin e popullsisë që banon në territoret përkatëse. Ky parim ka rëndësi të veçantë, sepse tregon se territori dhe komuniteti nuk mund të trajtohen të shkëputur nga njëri-tjetri. Një ndarje e qëndrueshme duhet të marrë në konsideratë marrëdhëniet ekonomike, sociale, historike dhe funksionale që ekzistojnë ndërmjet njerëzve dhe territorit ku ata jetojnë.

Kushtetuta i jep vetëqeverisjes vendore një status të veçantë dhe autonomisë vendore karakter kushtetues. Kjo do të thotë se pushteti vendor nuk duhet parë thjesht si zgjatim i administratës qendrore. Ai është një nivel i veçantë i ushtrimit të funksioneve publike, ku komunitetet duhet të kenë mundësi reale të administrojnë çështjet e tyre. Për këtë arsye, një territor i madh nuk është domosdoshmërisht një territor më funksional. Një bashki mund të ketë sipërfaqe të konsiderueshme dhe popullsi të madhe, por nëse qytetari që jeton në periferi apo në një zonë malore e ka të vështirë të aksesojë shërbimet, madhësia administrative nuk përkthehet automatikisht në eficiencë.

Këtu qëndron edhe problemi me mënyrën se si po zhvillohet debati publik. Vëmendja është përqendruar kryesisht te numri i bashkive, ndërkohë që pyetja themelore duhet të jetë tjetër: çfarë madhësie dhe strukture duhet të ketë një njësi vendore për të ushtruar në mënyrë efektive kompetencat që i janë dhënë? Numri duhet të jetë rezultat i kësaj analize dhe jo pikënisja e saj. Duhet të vlerësohen popullsia, sipërfaqja, distancat, infrastruktura, kapaciteti financiar, potenciali ekonomik, cilësia e shërbimeve dhe mundësia reale e qytetarëve për të marrë pjesë në vendimmarrje.

Shqipëria ka karakteristika territoriale që nuk lejojnë zgjidhje të njëjta për çdo zonë. Ka territore urbane, rurale, malore, bregdetare e kufitare, me dendësi dhe potenciale të ndryshme zhvillimi. Në disa zona, kufijtë natyrorë dhe distancat krijojnë vështirësi që nuk ekzistojnë në qendrat urbane. Për këtë arsye, kam propozuar që disa zona kryesisht malore, me karakteristika të veçanta gjeografike dhe komunitare, të mund të trajtohen përmes një modeli të diferencuar, përfshirë edhe idenë e komunave malore. Kjo nuk duhet pranuar apo refuzuar si çështje politike, por duhet analizuar mbi bazën e funksionalitetit dhe nevojave reale.

Edhe përvoja europiane tregon se nuk ekziston një model i vetëm territorial. Disa vende kanë njësi të vogla dhe përdorin bashkëpunimin ndërkomunal, ndërsa të tjera kanë njësi shumë më të mëdha. Organizimi territorial është i lidhur me historinë, strukturën e shtetit, gjeografinë, demografinë dhe traditat administrative. Shqipëria nuk ka pse të kopjojë një model të huaj; duhet të marrë standardet europiane dhe t’i përshtatë ato me realitetin e saj.

Në këtë kuadër, rëndësi të veçantë ka edhe Karta Europiane e Vetëqeverisjes Vendore, ku Shqipëria është palë. Karta kërkon konsultimin paraprak të komuniteteve lokale të interesuara për ndryshimin e kufijve territorialë. Por konsultimi nuk duhet të jetë një formalitet i kryer pasi vendimi është marrë në thelb. Ai ka kuptim vetëm nëse zhvillohet në një fazë kur alternativat janë ende të hapura dhe mendimi i komunitetit mund të ndikojë realisht në vendimmarrje. Një reformë territoriale që prek drejtpërdrejt jetën e komuniteteve kërkon transparencë, argumentim dhe dëgjim real të tyre.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme edhe për integrimin europian. Europa nuk nënkupton vetëm përafrim ligjor, por edhe institucione funksionale, administratë efektive, decentralizim dhe demokraci lokale. Një Shqipëri europiane duhet të jetë në gjendje të garantojë shërbime dhe përfaqësim jo vetëm në qendrat urbane, por edhe në zonat rurale, malore dhe periferike.

Në këtë debat duhet të ketë përgjegjësi edhe nga përfaqësuesit e zgjedhur. Deputetët, kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë kanë të drejtë të kenë përkatësi politike dhe të respektojnë programet e subjekteve të tyre. Por ata kanë marrë gjithashtu një mandat nga qytetarët dhe duhet të jenë në gjendje të shpjegojnë publikisht arsyet e qëndrimit të tyre për një çështje që prek drejtpërdrejt komunitetin që përfaqësojnë. Kjo nuk është çështje e majtë apo e djathtë; është çështje e përgjegjësisë së mandatit publik.

Prandaj, reforma territoriale nuk duhet të shndërrohet në një tjetër përplasje politike mbi shifra dhe harta. Ajo duhet të mbështetet në të dhëna, analiza financiare e administrative, konsultim real me komunitetet dhe vlerësim të rezultateve të modelit ekzistues. Duhet të dimë çfarë ka funksionuar, çfarë nuk ka funksionuar dhe cilat janë pasojat konkrete të çdo alternative.

Në fund, pyetja nuk është nëse Shqipëria duhet të ketë 61, 70, 80 apo një numër tjetër bashkish. Pyetja është nëse modeli i zgjedhur i bën njësitë vendore më të afta, shërbimet më të aksesueshme, administratën më të përgjegjshme dhe qytetarin më të përfshirë në vendimmarrje.

Reforma territoriale duhet të jetë reformë e shtetit, jo thjesht reformë e hartës. Ajo duhet të jetë kushtetuese në frymë, europiane në standarde, profesionale në metodë dhe e përshtatur me realitetin shqiptar. Para se të ndryshojmë hartën, duhet të dimë qartë se çfarë shteti duam të ndërtojmë dhe çfarë marrëdhënieje duam të krijojmë mes pushtetit dhe qytetarit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb