TIRANË

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume i ftuar në rubrikën “Opinion”, në News 24, u ndal te reforma zgjedhore e cila i duhet vendit, ndërsa tregoi edhe detyrat urgjente që duhen përmbushur nga partitë politike në Shqipëri me qëllim që forca e pushtetit t’i kalojë qytetarit.

Eksperti tha se mungesa e adresimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ka krijuar një shmangie të madhe nga ajo që Kume e quan si “demokraci përfaqësuese”.  Ai theskoi se dy partitë kryesore PD-PS nuk duan ndryshimin e sistemi aktual pasi përfitojnë në kurriz të partive të vogla.

 “Të bëjmë së pari marrëveshjen e fjalës. Legjislacioni është dinamik dhe është përherë në zhvillim, dhe i kushtohet shoqërisë dhe si duhet të qeveriset ajo, sepse është gjithmonë në ndryshim. Jemi përpara situatës kur klasa politike nuk e ka zbatuar atë që ka marrë përsipër nga ajo që njihet si Karta e Stambollit. Nuk kemi pasqyruar dhe implementuar rekomandimet e OSBE-ODIHR.  Ky sistem zgjedhor ka treguar se ka probleme. Janë dy partitë kryesore që nuk e duan ndryshimin, por nuk janë deklaruar për këtë hapur.

Ky sistem, me 12 njësi zgjedhore që janë qarqet e Shqipërisë, ju krijon kushte që të përfitojnë nga partitë e vogla dhe ndaj nuk e duan ndryshimin. Proceset zgjedhore që janë bërë deri sot ka bërë që në të devijohemi ndjeshëm nga parimi thelbësor që është demokracia përfaqësuese. Për mendimin tim një ndër faktorët që ka ndodhur është vetë sistemi dhe mënyra se si e kanë administruar procesin zgjedhor.  Kjo është një krizë, që nuk është e votave apo e zgjedhjeve, por është një krizë e demokracisë. Të gjithë së bashku, institucionet e këtij vendi, stafet akademike, specialistë dhe teknicienë duhe të bëhemi bashkë dhe të realizojmë,  të draftojmë për atë që duhet ndryshuar. Janë këto dy partitë politike, janë aktorë që kanë prodhuar këtë situatë me ndryshimet në 2008. Unë vërej se tendenca për të konvergjuar mes tyre ka filluar të ndihet. Nëse nuk ndryshon ky sistem, ne do të vazhdojmë me këtë problem. Problemi është që deputetët i cakton  kryetari i partisë.  Duhet që listat të jenë të hapura”-tha ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: