Ministrja e Kulturës dhe dy drejtorët e dy teatrove kombëtarë kanë folur për një reformë në teatër dhe një ligj, fundi i të cilave është ende i paqartë.

E qartë u bë megjithatë, se rritja e pagave do të bëhet përmes vlerësimit të performancës jo për të gjithë, ndërsa mbështetja për të rinjtë, vazhdon!

Një reformë në art! Ministrja e Kulturës Elva Margariti, drejtori i sapozgjedhur i Teatrit Kombëtar Altin Basha dhe drejtori i sapozgjedhur i Teatrit Kombëtar Eksperimental, Gjergj Prevazi, përmes fjalëve të tyre,  kanë zbuluar detaje të një pazlli mbi një reformë në art, duke nisur nga menaxhimi i parave të biletave e deri te financimet.  Teatrot janë ende pa kalendarë artistikë, si shkak i drejtoreve të rinj, çka pritet të  shtyjë nisjen e sezonit.

Nga fjalët e tyre, kuptohet qartë se nuk duket të ketë një rritje pagash për dy teatrot, në kuptimin e rritjes që pati opera, por do të shihet mundësia e vlerësimit të cilësisë e performancës artistike, duke paguar pra vetëm ata që kanë cilësi dhe sasi.

Në anën tjetër, Eksperimentali nuk pritet të ketë trupë rezidente, por artistë me kontrata pas audicioneve.

Njëherit, për të  shmangur zgjedhjet e pjesëve të para 90-ës që ende dominojnë skenën, Prevazi bën të qartë se çfarë kërkohet, duke theksuar “pjesët bashkëkohore, rishikim të financimeve e cilësi”.

Shfaqje që nga Tirana udhëtojnë në rrethe, sidomos në sezonin turistik në zonat e mbrojtura;  mbajtja e festivalit të Teatrove “Moisiu” ne Teatrin Kombëtar, fondi prej 100 milionësh për të rinjtë në teatrin eksperimental, si edhe theksi i vazhdueshëm te pjesët bashkëkohore dhe një rrjet kombëtar, ndërkombëtar e europian, parimisht duhet ta nxjerrë teatrin shqip nga zgripi i rënë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb