Protesta kundër qeverisë hyn sot në ditën e 98-të, me qytetarët që pritet të mblidhen sërish në Tiranë për të vijuar aksionin e tyre dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Qëndresa e përditshme tashmë po i afrohet një tjetër momenti të rëndësishëm. Të hënën mbushen 100 ditë nga nisja e protestave dhe nga sheshi është paralajmëruar një mobilizim më i madh, me thirrje drejtuar qytetarëve nga e gjithë Shqipëria për t’iu bashkuar tubimit në kryeqytet.
Dita e 97-të solli ndërkohë disa zhvillime. Protesta e së premtes nisi që në paradite përpara Gjykatës Penale, ku qytetarët u mblodhën në mbështetje të protestuesve të arrestuar pas tensioneve të 1 shtatorit përpara Kryeministrisë.
Gjykata vendosi lirimin e 14 protestuesve të arrestuar. Vendimi u prit si një fitore nga aktivistët, të cilët deklaruan se ndalimet nuk do ta ndërpresin protestën dhe se aksioni do të vazhdojë.
Në mbrëmje, qytetarët u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë. “Rama jep dorëheqjen” dhe “Arrestoni Ramën” ishin ndër thirrjet që shoqëruan marshimin, ndërsa protestuesit mbanin pankarta me mesazhe kundër qeverisë dhe në mbështetje të të arrestuarve të ditëve të fundit.
Pas fjalimeve përpara Kryeministrisë, protesta nuk u mbyll aty. Qytetarët vijuan marshimin përgjatë bulevardit dhe rrugëve të kryeqytetit, duke përsëritur kërkesën për largimin e Ramës dhe duke paralajmëruar vazhdimin e protestave.
Në qendër të fjalimeve ishte edhe ajo që pritet të ndodhë të hënën. Aktivistët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në ditën e 100-të, ndërsa është paralajmëruar rrethimi i Kryeministrisë. Krahas dorëheqjes së Ramës, nga protesta është artikuluar edhe kërkesa për largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.
Protestuesit kanë sinjalizuar gjithashtu se aksioni do të zhvendoset edhe përpara Parlamentit me rinisjen e sesionit parlamentar. Kuvendi rikthehet të martën, më 8 shtator, vetëm një ditë pas protestës së 100-të, duke paralajmëruar një fillim jave me tension të lartë politik.
