DURRES– Në pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit është organizuar një ceremoni e veçantë dhe mbresëlënëse. Dhjetëra miq dhe dashamirës kanë festuar 90-vjetorin e regjisorit dhe shkrimtarit të shquar durrsak Gjergj Vlashi.
Në fjalën e hapjes, drejtori i Pallatit të Kulturës, Bashkim Hoxha solli në vëmendje figurën komplekse të Vlashit, si figura e dytë mbas Aleksandër Moisiut që mban në këtë teatër Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Gjergj Vlashi është themeluesi i trupës së teatrit të kukullave dhe në vitin 1960, ka krijuar trupën e estradës profesioniste të këtij qyteti, ku punoi si regjisor deri në vitin 1990. Në punën e Gjergj Vlashit renditen sot rreth 110 premiera. Po ashtu ai njihet si autor 45 veprave letrare, përfshirë edhe përkthimet. Në “bilancin” e 90-vjetorit të tij renditen rreth 15 çmime të rëndësishme kombëtare.
(BalkanWeb)