NGA ERMELINDA HOXHAJ
TIRANE– Sot ka nisur regjistrimi i kandidatëve fitues në universitet publike të fazës së parë, i cili zgjat deri më datë 20 shtator. Afatet e regjistrimit janë miratuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, bashkërisht me dokumentet që duhet të dorëzojnë fituesit në sekretaritë mësimore. Ditën e parë të regjistrimit kandidatët janë hasur me një tarifë shtesë, e cila nuk është përcaktuar në udhëzimin nr.13 të MAS.
Por, sipas ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, përcaktimi i tarifave nuk është më kompetencë e MAS, por e vetë institucioneve të arsimit të lartë. Të gjitha universitet, me përjashtim të Universitetit të Mjekësisë dhe Universitetit Politeknik, që nuk kanë përcaktuar tarifë regjistrimi, të gjitha universitetet e tjera publike kanë përcaktuar tarifën prej 1600 lekësh për çdo student që do regjistrohet. Vlera e tarifës është e njëjtë me tarifën e regjistrimit të vitit të shkuar, e cila ishte përcaktuar nga Ministria e Arsimit.
MJEKËSIA &POLITEKNIKU
Studentët fitues që do regjistrohen në Universitetin e Mjekësisë dhe atë Politeknik nuk do të kenë tarifë regjistrimi. Rektorët e këtyre dy universiteteve kanë sqaruar për “GSH”, se nuk kanë miratuar tarifë regjistrimi për studentët fitues, duke qenë se ata kanë paguar një herë 20 mijë lekë për aplikimin në universitet, në llogari të AKP. “Studentët që do regjistrohen në Universitetin e Mjekësisë e kanë tarifën e regjistrimit zero. Kandidatët kur kanë aplikuar online, që kanë listuar 10 programe studimi në AKP, kanë bërë një pagesë regjistrimi 2 mijë lekë.
Ndaj, ne na u duket e tepërt kjo tarifë për ta dhe nuk e kemi përcaktuar”, theksoi rektori i UMT, Arben Gjata. Po ashtu, edhe rektori i Politeknikut, Andrea Maliqari, ka sqaruar se nuk do këtë tarifë regjistrimi për fituesit në këtë universitet. “Studentët duhet të paraqiten në sekretaritë e fakulteteve përkatëse ku janë shpallur fitues dhe të bëjnë regjistrimin me dokumentet, regjistrimin online e bëjnë sekretaritë, pasi vetëm ato e kanë pasword-in. Ne duke u bazuar në udhëzimin nr.13 të MAS, ku nuk parashikohet tarifë regjistrimi, nuk kemi përcaktuar asnjë tarifë për studentët që do regjistrohen”, tha rektori Maliqari.
REGJISTRIMI&TARIFA
Kandidatët fitues, duke filluar nga data 13 shtator deri në datë 20 shtator 2016 do të kenë mundësinë të regjistrohen online në sekretaritë mësimore duke dorëzuar dokumentacionin përkatës. Kandidatët fitues duhet të paraqesin në sekretaritë mësimore të fakulteteve përkatëse këto dokumente: fotokopje e noterizuar e diplomës së Maturës Shtetërore ose Dëftesës së Pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave, ose të një dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njësuar në MAS; dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë).
Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve të identifikimit; deklarata, e cila plotësohet dhe firmoset nga kandidati; mandatarkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekë, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare ose bankave të nivelit të dytë për llogari të universitetit përkatës ku do regjistrohen; 2 fotografi personale. Kandidatët fitues që do t’i nënshtrohen tarifës së regjistrimit prej 1600 lekësh janë fituesit në Universitetin e Tiranës, në Universitetin e Sporteve, në Universitetin e Arteve, në Universitetin e Durrësit, po ashtu edhe në universitetet e tjera të rretheve.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
