Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney ka bërë thirrje për një “partneritet të ri” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke deklaruar se rendi global po kalon një “ndryshim të thellë” në marrëdhëniet tregtare, raportoi “Reuters”.
Në një fjalim në Nju Jork, Carney tha se bashkëpunimi më i ngushtë SHBA–Kanada duhet të përqendrohet në sektorë strategjikë si alumini, industria e automjeteve dhe mineralet kritike, të cilat sipas tij janë thelbësore për sigurinë ekonomike të të dy vendeve.
Ai theksoi se Kanadaja synon të diversifikojë tregjet e saj dhe të dyfishojë eksportet drejt vendeve të tjera brenda 10 viteve të ardhshme, në përgjigje të tensioneve tregtare dhe tarifave të reja që kanë ndikuar marrëdhëniet me SHBA-në.
Carney vuri në dukje se Otava ka nënshkruar mbi 20 marrëveshje ekonomike dhe të sigurisë gjatë vitit të fundit, si pjesë e strategjisë për të forcuar pozicionin ndërkombëtar të vendit.
Duke iu referuar ndryshimeve në politikën tregtare amerikane, ai tha se SHBA-ja ka rritur tarifat në nivele të papara që nga “Depresioni i Madh” (kriza më e madhe ekonomike globale e shekullit XX) – duke e detyruar Kanadanë të rishikojë varësitë e saj ekonomike.
Në fjalimin e tij, Carney përmendi gjithashtu debatet politike të kohëve të fundit, përfshirë tensionet e krijuara nga deklaratat e presidentit Donald Trump lidhur me Kanadanë, duke i cilësuar disa varësi si “dobësi që duhen korrigjuar”.
Ai gjithashtu theksoi se, në një fjalim të mëparshëm në Davos, kishte paralajmëruar për rreziqet e “hegjemonisë amerikane” dhe për cenueshmërinë e vendeve të lidhura ngushtë me fuqitë e mëdha ekonomike.
Pavarësisht toneve më të ashpra në të kaluarën, në Nju Jork ai mbajti një qasje më pajtuese, duke e cilësuar SHBA-në si një vend “dinamik, rezistent dhe inovativ”, dhe duke theksuar vlerat themelore amerikane si liria, demokracia dhe hapja.
Carney shtoi se marrëdhëniet SHBA–Kanada kanë kaluar gjithmonë përmes mosmarrëveshjeve, por janë forcuar në kohë krize.
