Është rënduar situata e motit nga reshjet e borës të nisura prej afro 48 orësh në Qarkun e Dibrës.

Situatë problematike mbetet në Bulqizë e Dibër, ku në zonat e thella malore trashësia ka arritur deri në 60 centimetra. Të gjithë fshatrat e njësive Administrative Kala e Dodës, Selishtë e Lurë janë të izoluara, pasi trashësia e borës është shumë e madhe.

Në të njëjtën situatë gjenden edhe Njësitë Reç, Zall – Dardhë. Edhe në Njësitë Administrative Martanesh, Trebisht e Ostren të Bulqizës është e njëjta situatë, pasi dëbora shkon deri në 50 centimetra.

Rruga nacionale Peshkopi – Klos është e kalueshme, pasi është mbajtur e hapur. Edhe rruga Peshkopi – Qaf Drajë – Kukës është e kalueshme. Akset Qaf Bualli – Krastë dhe Ura e Çerenecit – Librazhd kalohen me vështirësi dhe duhet përdorimi i zinxhirëve.

Shumë fshatra të Bashkisë Dibër e Bulqizë janë pa energji elektrike për shkak të dëmtimit të rrjetit përcjellës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb