Nga: Brikena METAJ

Frashëri, vendlindja e Abdylit, Samiut, Naimit ka qenë kryeqendra e Dangëllisë. Vetë Samiu thekson se origjina e emrit Frashër rrjedh nga pema e frashërit, ndërsa krahina, Dangëllia, e ka marrë emrin nga fjala turke “Dag-ili”, që do të thotë “Malësi”, autorësia e të cilit I takon osmanëve që e emërtuan kështu këtë vend malor, në fillim të shek XVII. Më parë, në shekullin XIV, krahina quhej “Malakas” dhe qendra e saj ishte fshati “me të njëjtin emër, i cili ndodhej jo shumë larg Frashërit, në shpatin perëndimor të malit Radomir. Në ecurinë historike, Dangëllia si hapësirë gjeografike ka njohur tkurrje duke u reduktuar përherë e më shumë. Në vitin 1850 kjo krahinë malore përfshinte 48 fshatra, në vitet ’40 të shekullit XX kishte 22, ndërsa sot kjo njësi administrative numëron 12 fshatra.

Frashëri ngrihet rrëzë malit të Kokojkës, 1030 metra mbi nivelin e detit. Për herë të parë si vendbanim Frashëri përmendet në regjistrin ixhmal të Vilajetit të Përmetit dhe të Korçës, hartuar në vitet 1431-1432, me emrin Fraxhili, ndërsa ashtu si e shqiptojmë sot, Frashëri, del për herë të parë në vitin 1506, në Defterin mufasal të Vlorës. Zhvillimin më të madh ekonomiko – shoqëror Frashëri e ka pasur në shekujt 17 – 19. Në mesin e shekullit XX ky fshat numëronte 22 lagje dhe një treg prej 20 dyqanesh. Në këto vite kishte jo më pak se 300 shtëpi. Më 1912 në të banonin rreth 1180 banorë. Qyteti I vogël malor, u dogj tërësisht më 6 maj 1914 nga pushtuesit grekë. Rrënonjat e banesave të dikurshme duken ende dhe sot, të vetmet relike të asaj periudhe lulëzimi për këtë vend. Deri në fillim të viteve 90 fshati numëronte 91 familje me 432 banorë, ndërsa në vitet në vijim numri I popullsisë vijoi të tkurrej si pasojë e braktisjes. Në vitin 2008 e gjithë komuna numëronte 1555 banorë. Sot fshati ka 7 shtëpi me rreth 25 banorë, të gjithë të moshuar dhe vetëm një fëmijë.
Shkolla dykatëshe që deri në fillim të viteve ’90 priste mbi 100 nxënës të ciklit të ulët dhe të mesëm, prej kohësh hesht, ashtu si hesht gjithcka në këtë fshat ku mbizotëron një qetësi e frikshme harrese. Një vend I humbur, shumë larg qyteteve të zhurmshme e plot jetë që po shuhet pak nga pak me gjithë historinë e vet të lavdishme.

Në hyrje të fshatit të mirëpret banesa madhështore e vëllezërve Frashëri të cilët duket sikur ende vijojnë të shohin larg në male, Frashërin e dikurshëm, plot jetë e gjallëri, të pavetëdijshëm për mosekzistencën e tij aktuale.

Muzeu i vëllezërve Frashëri është ngritur në vitin 1974, mbi rrënojat e shtëpisë së prishur në vitin 1892, duke u përpjekur të ruhet origjinaliteti dhe forma fillestare e saj, edhe pse jo pak prej elementeve karakteristike të banesës janë tjetërsuar, që nga dyshemeja dikur e gurtë dhe e zëvendësuar me dhoga druri, deri tek tavanet e drunjta dhe oxhakët e dhomave. Një pjesë e mirë e gurëve për ndërtimin e kësaj shtëpie – muze janë marrë prej teqesë së fshatit pas shkatërrimit të saj nga komunistët.

Shtëpia – muze është konceptuar si një përmbledhje e historikut të zonës dhe veprimtarisë së tre rilindasve. Vetëm dy prej dhomave nga 10 ekzistueset kanë përpjekje të vakëta për pasqyrim dhe përcjellje të mënyrës së jetesës së kohës. Objekte dhe orendi të vjetra, disa të mbledhura nga banorët e zonës që ende vijojnë të kujdesen për të, edhe pse të pashpërblyer asnjëherë prej drejtuesve lokalë. Interesi për këtë banesë duket se është jo I paktë, por gjithçka mbetet në kufijtë e një vizite kalimtare, pa shumë informacion, me shoqërues të vetëm dallëndyshet, që e kanë kthyer banesën në strehën e tyre.

Muzeu ka si pasuri të vetën libra e dorëshkrime të vëllezërve Frashëri, ku veçohen disa prej botimeve origjinale të Sami Frashërit si fjalorët frëngjisht – turqisht dhe turiqisht – frëngjsht, të rrallë për nga vlerat që mbartin, por që sigurisht me nevojën oër më shumë përkujdesje.

Por kjo zonë e braktisur dhe jo lehtësisht e arritshme ka në gjirin e vet gjurmët e një historie të pasur dhe plot thesare të trashëgimisë kulturore e historike. Teqeja e Frashërit ndodhet vetëm pak kilometra larg fshatit. E ndërtuar në vitin 1851, ky monument kulture I kategorisë së parë ka qenë jo vetëm një objekt fetar, por baza ku mblidheshin patriotët atdhetarë për të vendosur mbi të ardhmen e kombit.

Turistët e aventurës janë ata që e frekuentojnë më së shumti zonën e frashërit që ndonëse e braktisur nga banorët vendas, është ende një vend atraksioni turistik për ata që njohin bukuritë dhe pasuritë e saj. Rruga drejt Frashrit të thellë e të largët kalon mes për mes një parku madhështor të pushtuar nga bredhat. Parku kombëtar “Bredhi i Hotovës”, është i vetmi masiv pyjor në Jug, i cilësuar ndryshe si mushkëria e Shqipërisë Jugore.

Në pyllin me sip prej 34 mijë ha, bredhi është mbreti i kësaj sipërfaqeje ku mbizotëron gjelbërimi i paanë, më një lartësi që shkon në 50 m dhe sipërfaqe prej 1250 ha bredha masivë me moshë mbi 100 vjecare, ndërsa pjesa tjetër është lis, frashër, lajthi e panjë. Ky park kombëtar është një nga perlat turistike të Shqipërisë dhe ofron surpriza të këndshme në çdo stinë të vitit. Vendasit janë ata që e njohin mirë lezetin e këtij vendi për të cilin janë kujdesur në vazhdimësi dhe vinë shpesh për të kaluar fundjavat pavarësisht rrugës së vështirë.

Shahim Mehmeti kujdeset për këtë park prej më shumë se 30 vitesh dhe kjo është një traditë familjare. Ai rrëfen se dashuria për këtë park nuk e lë asnjë ditë larg tij.

Mungesa e promovimit të kësaj pasurie natyrore krahas atyre të infrastrukturës dhe shërbimeve kanë sjellë një rënie të numrit të turistëve krahasuar me një vit më parë. Ky park i konsideruar si një nga reliket bimore mesdhetare më të rëndesishme në vend dhe një nga parqet më të mëdhenj në Ballkan me bredh maqedonas, ofron bujarisht për turistët vetëm bukuritë e veta natyrore dhe asgjë më tepër.

Zona e Përmetit është e pasur me resurse natyrore ku Bredhi i Hotovës zë natyrisht vendin kryesor. Ky oaz i rrallë i natyrës shqiptare, i shpallur park kombëtar prej vitit 1996 është një burim i vërtetë vlerash turistike ende i pashfrytëzur sic duhet. Nëse vendos të vizitosh Përmetin, zona e Frashërit nuk duhet të mungojë në axhendën turistike. Oferata e saj pasurohet me natyrën, kulturën dhe trashëgiminë e një vendi të lashtë dhe të bekuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: