TIRANE- Sasia e reshjeve të ditëve të fundit ka përmirësuar ndjeshëm situatën hidrike në Kaskadën e Drinit. Aktualisht rezerva energjetike e akumuluar është rreth 1153.4 GËH. Në një deklaratë për mediat, KESH pohon se po shfrytëzon këtë situatë optimalisht duke ngarkuar në maksimumin e mundshëm agregatët disponibël për të trajtuar prurjet në basenet e hidrocentraleve. Prodhimi ditor i energjisë elektrike nga HEC-et e Kaskadës së Drinit është rreth 19 milion KWh.

Për muajin Shkurt, KESH po plotëson gjithë kërkesën e tregut të rregulluar të vendit, përfshirë humbjet në rrjetin e shpërndarjes. Prurjet e mëdha hidrike të ditëve të fundit e bëjnë të domosdoshme rritjen e prodhimit në mënyrë që basenet të vijojnë të mbahen në kuotat e parashikuara nga Rregullorja dhe vendimmarrjet përkatëse të Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave.

Nga të dhënat e Sektorit të Operimit dhe Monitorimit të kaskadës në KESH, rezulton që sot në orën 9.00 më datë 13 shkurt 2016:
Niveli në HEC Fierzë është 290.74 m, prurjet rreth 500 m³/sek,
Niveli në HEC Koman është 172.18 m, prurjet rreth 200 m³/sek,
Niveli në HEC V.Dejës është 75.05 m, prurjet rreth 90 m³/sek ,

Për periudhën në vijim deri në fund të muajit shkurt, KESH do të vazhdojë të mbulojë edhe humbjet në rrjetin e shpërndarjes, që llogariten rreth 160.000 MWh.

Energjinë shtesë të prodhuar në kushtet e prurjeve të mëdha hidrike (rreth 41,920 MËh për periudhën 13-20 shkurt) KESH e ka shitur në tregun e parregulluar, duke krijuar të ardhura shtesë prej 1.04 mln euro. Çmimi mesatar i ponderuar për sasinë e shitur për 8 ditët në vijim prej 41,920 MWh rezulton 24.70 Euro/MWh. Sipas parashikimeve të bursës hungareze, gjatë gjithë muajit shkurt, çmimi i energjisë elektrike pritet të jetë i ulët. Sot në profilin bandë çmimi mesatar në bursën hungareze do të jetë 23.15 Euro/MWh.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: