TIRANË

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile Haki Çako foli për një situatë nën kontroll në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile. Çako tha se strukturat janë në gatishmëri të plotë dhe shtabet e ngritua kanë nisur punën për zbatimin e masave në terren.

Sipas Çakos, në Lezhë problematik është lumi Drin, i cili është mbingarkuar nga shkarkimet e Gjadrit. Ai theksoi që nuk ka qytetarë dhe banesa që rrezikojnë.

“Gjatë gjithë ditës së sotme të gjitha shtabet e mbrojtjes civile në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera, me FA-të, të policisë së Shtetit, strukturat e tjera që kanë qenë në gatishmëri të plotë dhe është shkëmbyer informacion. Shtabet kanë hartuar planet e masave dhe kanë filluar veprimin në terren. Prezenca e ujit është në disa zona të tokës bujqësore. Banesa të rrezikuara nuk ka. Në qarkun e Lezhës problematik është lumi Drin sepse është mbingarkuar me shkarkimet që vijnë nga Gjadri por situata është në kontroll të plotë. Me ndërhyrjen e Bashkisë së Lezhës është bërë rikuperimi në disa vende e kolektorë. Aktualisht kuotat janë optimale, nuk paraqesin rrezik, nuk ka qytetarë që rrezikojnë, gjithsesi FA-të dhe strukturat e tjera janë në gatishmëri të plotë. Në Shkodër, zona e Oblikës ka një pjesë të konsiderueshme nën ujë. Ka një efekt që vjen nga mbingarkesa e liqenit të Shkodrës dhe Gjadri që shkarkon në Drinin e Madh dhe më tej në Bunë. Kontrolli i kaskadave të lumit Drin është i plotë. Kemi qenë në kontakt me drejtorin e përgjithshëm të KESH, OSHEE-së. Kolektorët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në punë. Është bërë një punë shumë e mirë në pastrimin e kanaleve në nivelit të parë dhe niveleve të tjera. Prezencë uji ka pasur dhe në qarkun e Durrësit”, deklaroi Çako.

Ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi tha se drejtoritë kanë vënë afër kanaleve kulluese ekskavatorët që në çdo moment të ketë mbledhje të mbeturinave që mund të sjellin lumenjtë. “Në 7 hidrovore në pjesën jugore gjendja e kuotës është nën rrezik. Në 4 hidrovore të vogla gjendja e kuotës maksimale. Nëse nuk do ishte ky koordinim në mënyrë të shkëlqyer nuk do kishim këtë situatë të kontrolluar të territorit”, tha Ekonomi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb