Biblioteka Kombëtare shpall gjendjen e emergjencës pas përmbytjes së katit të parë të godinës nga reshjet e së shtunës. Sipas Bibiotekës plot 12 mijë materiale rezultojnë të lagura nga shiu.

Biblioteka Kombetare (1)

Biblioteka Kombëtare njofton se në orët e para të datës 23 qershor 2018, mbas reshjeve të vrullshme të shiut, është konstatuar prani uji në një nga sallat e saj në katet e nëndheshme të hapësirave depozituese të koleksioneve bibliotekare (libra, revista, gazeta), duke dëmtuar/lagur materialet bibliotekare të sistemuara në nivelet e ulta të sallës.

Në njoftimin për mediat thuhet se institucioni shpalli gjendjen e emergjencës për trajtimin e materialeve bibliotekare të lagura ose pjesërisht të lagura me qëllim tharjen dhe restaurimin e tyre të plotë.

Biblioteka Kombetare (4)

Biblioteka Kombëtare thekson se nuk janë prekur mjediset ku ruhet fondi i vlerave të rralla dhe arkivi i librit e i periodikut shqip.

Biblioteka deklaron se nga të dhënat paraprake, numri i njësive bibliotekare me gjurmë lagështire rezultoi rreth 12 mijë. Gjatë punës së deritanishme janë tharë plotësisht rreth 70% e tyre. Punonjësit vijojnë punën intensive për tharjen e plotë të pjesës së mbetur.

Biblioteka Kombetare (2)

Mbizotërojnë tekstet mësimore dhe botime të 15 viteve të fundit, të cilat për shkak të mungesës së theksuar të hapësirave depozituese nuk kanë mundur të ruhen sipas standardeve tekniko-profesionale.

Në funksion të kësaj emergjence dhe në respektim të protokolleve profesionale, Institucioni njofton se Biblioteka Kombëtare do të qëndrojë e mbyllur nga data 25 deri 30 qershor.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb