Avokati Gylsen Zhllima ka ngritur akuza të forta ndaj mënyrës se si shteti ka menaxhuar disa çështje të debatueshme, duke deklaruar se veprime të tilla dëmtojnë klimën ekonomike dhe imazhin e Shqipërisë për investitorët e huaj dhe jo revieë negative që janë lënë nga qytetarët në bizneset që janë kundër protestës ku kërkohet largimi i kryeministrit Rama, ose nuk e përkrahin atë.

I ftuar në emisionin “News24 Fundjavë” me Megi Latifin, Zhllima u shpreh se problematika kryesore nuk lidhet me komentet apo reagimet e qytetarëve, por me mënyrën se si shteti ka ndërhyrë në raste të caktuara.

“Ku ishte shteti kur u shemb ‘Prestige Resort’? Veprimi u krye me ndihmën e policisë me maska, pa autorizim dhe në shkelje të ligjit. A nuk duhej të dilte një prokuror dhe të pyeste se përse po ndodhte kjo?”, deklaroi Zhllima.

Ai solli në vëmendje edhe rastin e ndërhyrjeve në zonën e 5 Majit, duke ngritur shqetësimin se mënyra e trajtimit të qytetarëve mund të dëmtojë besimin e investitorëve në tregun shqiptar.

“A është prishje e tregut imobiliar mënyra e arrestimit dhe marrja zvarrë e qytetarëve? Çfarë mesazhi i jepet një shtetasi të huaj kur sheh që në Shqipëri policia merr njerëzit zvarrë?”, u shpreh avokati.

Zhllima deklaroi se shteti ka dështuar vazhdimisht në garantimin e standardeve të duhura institucionale dhe akuzoi se institucionet janë ndikuar nga pushteti politik.
“Shteti është ndërtuar dhe kapur nga pushteti i Partisë Socialiste dhe Edi Ramës. Institucionet që nxjerrin raporte nuk punojnë për shtetin, por për pushtetin. Rastet e ‘5 Majit’ dhe ‘Prestige Resort’ tregojnë shumë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb