TIRANE – Vëmendja ndaj asaj çka ndodh nga dita në ditë për takimin midis Shqipërisë dhe Serbisë, që do të luhet më 8 tetor në “Elbasan Arena”, sa vjen edhe shtohet.

Masat ekstreme të policisë, “urdhrat” e UEFA-s dhe kërkesa gjithnjë e në rritje për një biletë, ku problemi më i madh duken ballkonet e pallateve pranë impiantit, kanë marrë një vë- mendje më të madhe sesa vetë takimi. Ata që po duken më të diskriminuarit nga e gjithë kjo situatë janë ata që deri dje ishin më të favorizuarit, banorët e pallateve pranë stadiumit. Sikur të mos mjaftonin masat e marra nga policia për këtë ndeshje, paradoksale nga ana e qytetarëve duket futja në banesë e efektivëve të policisë gjatë kohës së ndeshjes.

Për këtë arsye, “Panorama Sport” kontaktoi me disa prej banorëve që kanë shtëpitë në këto pallate dhe që janë “shokuar” kur kanë mësuar ditën e djeshme nga mediat që në çdo ballkon do të ketë nga një polic. Madje, në bisedat e tyre kanë dashur të ruajnë anonimatin, sepse për ta kishte vend shprehja: “Me qeverinë nuk merresh dot”.

Reagimi
Banorët kanë reaguar mjaft ashpër për këtë fakt dhe arrijnë deri aty sa preferojnë më mirë të mbyllin dyert dhe të mos e shohin ndeshjen fare.
“Nuk mund ta imagjinoj që të vijë policia në ballkonin tim dhe të më ruajë gjatë gjithë kohës se çfarë bëj në shtëpinë time. Nuk ka logjikë! Jemi shumë dakord me masat për këtë ndeshje, por jo të shkohet deri aty sa të ‘dhunohemi’ dhe të na vijnë në shtëpi”, shprehet njëri prej banorëve. Një tjetër pohon se nëse do të jetë kështu, do të dalë fare nga shtëpia atë ditë dhe do ta shohë ndeshjen jashtë.
“Nëse vërtet në ballkon do na vijë një polic, më mirë zgjedh të mbyll derën dhe të dal me familjen ta shoh ndeshjen jashtë. Ne po trajtohemi sikur jemi kriminelë dhe do bëjmë trazira. Më duket e pakuptimtë kjo gjë, por shpresoj që të mos jetë e vërtetë që do na vënë polic brenda në shtëpi. Më duket si shaka e gjitha kjo”, pohon një banor i një pallati pranë stadiumit. Një tjetër shprehet se nuk mund të arrihet deri në këtë pikë, por bie dakord që për interes të ndeshjes të merret çdo masë për të eliminuar trazirat.

“Jam dakord që policia dhe shteti të marrë të gjitha masat për këtë ndeshje, të bëjë kontrolle dhe të mos lejojë ata që nuk janë pjesëtarë të familjes të shohin ndeshjen. Për ne që banojmë këtu të marrë çdo informacion dhe secili prej nesh të mbajë përgjegjësi edhe penale nëse nga ballkonet tona ndodh ndonjë incident. Por, më duket një masë ekstreme të sjellin polic në shtëpi, sepse nuk po na trajtojnë si shqiptarë. Nuk e di çfarë të them, por nëse e kanë vendosur ta sjellin policin në shtëpi, jemi të detyruar t’i hapim derën”, u shpreh një tjetër qytetar. Ajo që bie në sy nga reagimi i qytetarëve është se të gjithë janë në një mendje për sa u përket masave që duhen marrë dhe do bashkëpunojnë me policinë, por futja në shtëpi u duket si diçka absurde dhe e padrejtë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb