Presidenti i Institutit Liberal Pashko, Preç Zogaj thotë se humbja e thellë e opozitës ishte e pritshme, e parashikuar për mënyrën se si erdhi kjo opozitë në zgjedhje: e përçarë, një pjesë e saj në karshillëk me perëndimin, e pareformuar gjithashtu.

Zogaj tha në emisionin “Opinion”, se zgjidhja brenda PD mund të vijë duke u tërhequr Berisha apo duke institucionalizuar opozitën plurale.

“Rreth 200 e ca mijë demokratë nuk kanë shkuar në zgjedhje sa për shkak të përçarjes së PD dhe kryesisht sepse nuk dhe nuk mund të ndjekin një alternativë që i kundërvihet SHBA-së dhe perëndimit.

Berisha dhe Alibeaj kanë dalë në zgjedhje veç e veç, pavarësisht propozimit të Alibeajt për të dalë me kandidatë të përbashkët.

Dhe ky propozim nuk u pranua nga Sali Berisha. Nuk kam dëgjuar asnjë prej jush dhe prej njerëzve që rrethojnë Sali Berishën, të japë një shpjegim pse u refuzua ky propozim.

Dy janë zgjidhjet: humbësi i madh të tërhiqet dhe t’i hap rrugën riorganizimit të PD dhe bashkimit të saj në një kongres gjithëpërfshirës me një statut të ri dhe program të ri. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë, por nuk duket e mundshme tek dëgjojmë sesi po e trajton humbjen e tij të thellë Sali Berisha.

E dyta, institucionalizimi i opozitës plurale që ruan vijën ndarëse, e cila ka të bëjë me orientimin.

Grupet e opozitës funksionojnë dhe përpiqen të rriten veç e veç, siç është edhe shembulli i Italisë dhe kur të afrohen zgjedhjet të shikojnë mundësinë e aleancave si palë: Rithemelimit, Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë dhe parti të tjera opozitare. Ky më duket se është opsioni më realist, i cili kërkon që të pushojë kjo lufta e egër brenda opozitës”.

Zogaj theksoi se Partia Demokratike zyrtare ka marrë 104 mijë vota në kushte shumë të vështira, në pabarazi ekstreme elektorale dhe e sabotuar nga jashtë e nga brenda.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb