Regjisori i njohur, Piro Milkani, tregoi mes dhimbjes si i ngjiti shkallët e karrierës aktori i ndjerë, Rikard Ljarja.

Duke folur për “News24”, Milkani tha se Ljarja u zgjodh në rol kryesor në moshën 23-vjeçare, ku spikati për talentin, pasi ishte i kompletuar, por edhe fotozhenik.

Mes të tjerash, regjisori tregoi edhe një moment emocionues, kur kishte vizituar bibliotekën më të madhe të botës në Uashington dhe ku aty kishte ndeshur edhe librin e Ljarjes.

“Rikardi lindi me fat. Kishte vetëm 23 vjeç kur u zgjodh në rolin kryesor te “Komisari i dritës”. Që aty u kuptua që kishim të bënim me një kalem të lindur. Rikardi ishte i kompletuar, kishte së pari aspektin fotozhenik, kishte çdo gjë perfekte. Më tej e lam në rol të dytë. Nuk kishte nevojë t’i mësonim Rikardit kitarën. Ka një moment ku ai i bie kitarës dhe këndon vetë, dhe aty është gjithë lokomotivi i filmit”, tha Milkani.

Çfarë të veçante kishte?
Ishte tepër fotozhenik, ishte i pashëm, i prerë për role pozitive. Ishte shumë jetësor, shumë realist dhe reflektohej në rolet e tij edhe kultura e përgjithshme që kishte, pasi ishte dhe muzikant, skenarist, shkrimtar. Ishte një artist i kompletuar, prandaj çdo epitet që mund t’i vësh atij sot është plotësisht i merituar, pasi kishte dhunti të jashtëzakonshme.

Pata rast në Uashington, në bibliotekën më të madhe të botës, të zbuloj se edhe libri i tij ishte depozituar në atë bibliotekë të madhe. Ajo bibliotekë tërheq cdo vit 200 titujt më të mirë shqiptare, dhe mes tyre ishte dhe ai. Takoheshim edhe pas viteve 90 shpesh, ku kujtonim vitet e rinisë tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb