Presidenti i FSHF-së Armand Duka, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-së ka dhënë një intervistë për median italiane ”Sky Sport” lidhur me finalet e Champions dhe Europa League, kombëtares shqiptare dhe futbollistëve të saj.

Duka ndodhet ne Lisbonë, por thotë se nuk bën tifozllëk për asnjë pasi është tifoz i Milanit, dhe kuqezinjtë nuk janë në asnjë prej finaleve. Më tej ai ka zbuluar objektivin e kombëtares shqiptare që me në krye të teknikut italian Edy Reja të kualifikohet në Euro 2024.

Ai gjithashtu shpreson që në Serinë A italiane të ketë akoma më shumë shqiptarë të Kombëtares.

 

INTERVISTA E ARMANDO DUKËS

– Jemi këtu ne Lisbonë me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit z.Armand Duka, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për të ndjekur finalen e të dielës. Si e shikoni? Për cilën skuadër bëni tifozllëk? Apo nuk mund të na e thoni?

– Në fakt nuk bëj tifozllëk për asnjë nga dy skuadrat finaliste të së dielës, pasi jam një tifoz i Milanit. Milani nuk është këtu, por e shikoj finalen si një ndeshje mes dy klubesh të mëdha që e kanë merituar të vijnë deri në finale. Jam i lumtur që në fund ne u rikthyem te futbolli dhe kemi arritur t’i mbyllim të gjitha aktivitetet. UEFA është e vetmja konfederatë në botë që ka arritur t’i mbyllë të gjitha aktivitetet, edhe për këtë jam i lumtur, për këtë organizim.

-Ekipi kombëtar shqiptar drejtohet nga një trajner i yni, Reja. Ka një lidhje miqësore, gati vëllazërore nga ana e Shqipërisë. Pas De Biasit erdhi Panucci, tani Reja.

– Ka kohë që kemi italianë si trajnerë. Shumë futbollistë shqiptarë luajnë në Itali edhe e njohin më mirë edhe mentalitetin. Jemi mësuar. Edhe me De Biasin, me kualifikimin në Euro 2016, që për ne shqiptarët ishte si të arrinim yjet. Mëkat që ishte kjo periudha e virusit, e pandemisë COVID-19, na e ka vështirësuar aktivitetin tonë por kemi të njëjtin objektiv me Rejan, që të kualifikohemi në Euro 2024. Shpresojmë që ta arrijmë me një italian tjetër në stol.

-Sa i përket merkatos ka më shumë futbollistë shqiptarë në Itali, si Berisha, Strakosha, Gjimshiti, gjithashtu edhe Tare si drejtor sportiv?

– Tare është kthyer në pikë referimi, i cili me buxhet minimal ka arritur suksese me ekipin e Lacios në vitet e fundit. Sigurisht që ka ndihmuar futbollistët shqiptar të afrohen tek Lazio apo dhe në skuadrat e tjera italiane. Kemi shumë talente të rinj që luajnë në Itali siç është rasti i Kumbullës, por kemi edhe të tjerë që janë të perspektivës. Kështu që shpresoj të kemi më shumë futbollistë në Seria A.

-Po sa i përket finales së të dielës, si është parashikimi juaj?

– Sa i përket finales së të dielës, asaj të UEFA Champions League, është e vështirë që të parashikosh, mendoj sipas meje që Bajer Mynihu është një skuadër më e konsoliduar, por është një finale dhe gjithçka mund të ndodhë në një ndeshje të vetme.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb