TIRANE- Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë Romana Vlahutin, ka bërë apel që bashkitë të arrijnë të mbledhin më shumë të ardhura nga taksat, dhe t’i investojnë ato në funksion të qytetarëve. Në konferencën “Roli i bashkive në procesin e integrimit”, ambasadorja Vlahutin tha se niveli i të ardhurave nga bashkitë në Shqipëri, është më i ulëti në rajon.

“Është thelbësore që Bashkitë të ngrenë shqetësimet e qytetarëve. Të ardhurat vendore janë ndër më të ulëtat në rajon. Ne po përpiqemi që t’u vijmë në ndihmë bashkive. Të ardhurat nga pushteti vendor në Shqipëri përfaqëson vetëm 9 % të PBB për frymë, por mesatarja e BE është 25 %”, u shpreh Vlahutin.

Më tej, ambasadorja e BE u shpreh se decentralizimi vendor është thelbësor për Shqipërinë.

“Është e qartë që decentralizimi i famshëm fiskal është thelbësor. Më lini të marr shembullin e Kukësit që është një prej zonave më të varfëra në Shqipëri. Të paktën 70% e energjisë në nivel kombëtar prodhohet atje, dhe bashkia nuk merr asnjë përfitim financiar. Edhe në Bulqizë është industria minerare dhe vetëm 5% e të ardhurave i shkojnë bashkisë e cila ka nevojë për fonde”, tha Vlahutin.

“Bashkitë duhet të përfitojnë nga bizneset që punojnë në territorin e tyre. Unë kam qenë në Mirditë, ku i gjithë rajoni mund të përjetojë një rilindje të biznesit me një shumë prej 25 mln eurosh që mund të investohet në prodhimin e verës. Bashkitë duhet të jenë në gjendje që të mbledhin të ardhurat e tyre dhe ti investojnë në shërbime të qytetarëve. Është thelbësore që faza e ardhshme e përafrimit të Shqipërisë me standardet e BE të bëhert në bashkëpunim të plotë me njësitë vendore. Megjithatë kjo kërkon investim të mëtejshme që vendi të bëjë zgjedhje optimale politikash. BE do të jetë një partner i fortë dhe i besueshëm në të gjitha ambicjet tuaja për të krijuar bashkësi të begata vendore”, u shpreh ambasadorja e BE në vendin tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb