Real Madrid siguroi të martën finalen e 4 në 5 vitet e fundit në “Champions League” pas barazimit 2-2 me Bayern Mynchen. Por ashtu si pothuajse gjysma e sfidave këtë sezon në “Champions” edhe kjo përballje nuk kaloi pa polemika.

Ishte një top i devijuar me dorë nga Marcelo ai që shkaktoi irritim te gjermanët, të cilët për të dytin vit radhazi penalizohen nga arbitri. Pas ndeshjes ishte vetë mbrojtësi brazilian i ‘galaktikëve’ që pranoi se ai episod ishte penallti. Por nëse do të kishte ‘VAR’ në “Champions” atëherë gjërat do të ndryshonin shumë pasi një fitore 2-3 e Bayern-it do të kalonte gjermanët në finale, me rezultatin e përgjithshëm 4-4.

Fat më të mirë se skuadra e ‘Bundesligës’ nuk kishte as Roma. Liverpool gjithashtu nuk i shpëtoi akuzave një natë më parë për penallti e karton të kuq të mos dhënë në favor të Romës.

“Në ‘Anfield’ pësuam një gol në pozicion jashtë loje, ndërsa sot mungojnë dy penallti për ne dhe një karton i kuq për kundërshtarin. Mendoj se Italia duhet të reagojë, pasi po i hanë hakun në Europë. është momenti për të diskutuar seriozisht futjen e VAR-it në Champions”, deklaroi Drejtori Sportiv i Romës, Mario Monchi menjëherë pas mbylljes së ndeshjes së dytë gjysmëfinale dhe jo patë drejtë.

Pasi ndeshja e parë u mbyll me rezultatin 5-2 për Liverpool, të gjithë menduan se çështja e kualifikimit kishte marrë fund, por italianët besuan deri në sekondën e fundit, por nuk gjetën një arbitrim të drejtë.

Nëse do të rishiheshin rastet (përdorej VAR), atëherë mund të themi pa hezitim se Romës iu mohuan dy penallti, të cilat mund të çonin italianët në finale, pasi në fund atyre iu desh vetëm një gol për ta çuar ndeshjen në shtesë.

Si rrjedhojë nëse do të ishin marrë vendimet e duhura në finalen e Kievit në “Champions League” do të shkonin Roma me Bayern Mynchen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb