Për Blushin, komplotin e tij ndaj letërsisë dhe kodi i Llapmës së Aladinit

Në këtë sistem vlerash dhe antivlerash, në të cilin kemi hyrë prë tridhjetë e tre vitesh, mendohet se gjithëkush ka të drejtë të mendojë e shkruajë sipas perceptimit të tij. Duke qenë së nga regjimi komunist fituam vetitë e çensurës por edhe të autoçensurës, në dekadat e fundit, thuajse u zhbë fare roli i kritikës dhe gjykimit letrar. Kjo situatë, ndërtoi një terren shpresëplotë për shumë autorë, të cilët në jo pak raste guxuan që nën petkun e letërsisë të kryenin veprime diversioniste drejt hapësirave të politikës, duke synuar që me veprën e tyre të krijonin jo vetëm rrethin e lexuesve por edhe elektoratin e tyre. Ky i fundit, i konsideruar si një masë e madhe uji, prurjet e të cilit do të drejtoheshin drejt kaskadave, u shfrytëzua për tu shndërruar në një fuqi dhe energji e konsiderueshme për lojën dhe idetë e këtyre autorëve. Për mendimin tim, Ben Blushi, është një ndër promotorët e sendërërtimit të kësaj dukurie, e cila ka fituar një përmasë të konsiderueshme në kohët e sotme, ku për vet efektet që pritet të sjellë në zhvillimet e sotme, shumë intelektualë nuk mund t’i lërë në këndin e shpërfilljes ndaj saj.

Si autor me 28 vite krijimtari letrare dhe kontribut studimor, me veten time kisha bërë një betim; nuk do të merresha në asnjë rast, për asnjë motiv apo rrethanë me krijimtarinë e Ben Blushit. Madje, kur vëreja edhe ndonjë kolegun tim të nderuar që i kushtonte një kohë apo hapësirë Blushit e këshilloja ta linte mënjanë analizën ndaj letërsisë politike e të rikthehej tek ajo artistike. Mbase për mua është e para herë që po i shkel betimet e mara dikur. Kjo e ka një arsye sepse duke parë dhe ndjekur vëmendjen dhe manovrat e interpretimit kushtuar veprës së Blushit dhe në mënyrë të veçantë romanit të tij të fundit “Komploti”, nuk mundet të mos rendit disa mendime të mia, krejt të sinqerta rreth kësaj vepre, së cilës po mundohen t’i veshin lloj e soj atributesh, gati gati t’i japin përmasat e një libri të shenjtë me përmasa profetike. Unë qëndrimin tim do ta nis më fjalët; Jo të nderuar miq, jo deri këtu! Padashur po bëheni dishepuj të një besëtytënie e cila nuk ka lidhje me besimin por thjesht dhe vetëm me bindjen.

Për këdo që e ka lexuar apo do ta marrë në duar romanin “Komploti” të Ben Blushit dhe sapo të ketë kthyer edhe faqen e fundit të tij, vetvetiu do t’i konfigurohet edhe nëntitulli i tij “S’keni parë asgjë akoma”. Nganjëherë më duket kjo frazë e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, tashmë e kthyer në refren nga të gjithë, duket se qëndron si shenja dalluese e përkatësisë së këtij romani me konvencion politikën, ashtu si simboli i padukshëm që dallohet në dritë kur verifikon origjinalitetin e kartmonedhave vendase apo të huaja.

Jo vetëm në këtë roman por në krejt krijimtarinë e tij, Blushi nuk ka tipar dallues fantazinë. Përkundrazi, elementi historik është filli që ndërthurr të gjitha ngjarjet dhe episodet në veprat e tij, të cilat në mënyrë të natyrshme por mbase edhe të paramenduar kanë krijuar një sagë romanore. E gjitha kjo ka një shpjegim sepse ndërgjegja krijuese e Ben Blushit është ngjisur dhe ushqyer në sferat e politikës, pikërisht aty ku komploti lind dhe bëhet pjesë e ekzistencës për të gjithë banorët në këtë lloj habitati. Për rrjedhojë, në romanet e tij, mbizotëron dukshëm trysnia politike e cila nuk krijon barazpeshim me trillin artistik por barka me personazhet në brendinë e saj anohen gjithmonë e më tepër kah politikës dhe rrjedhave të saj të turbullta dhe rrjedhimisht ndaj rrezikut. Në një këndvështrim tjetër, tek fizionomia e tij shkrimore, spikat profili i publicistit, ku temat të cilat ai trajton në romanet e tij, dallohen për informacionin e dendur dhe të panjohur për publikun, mbi dukuri dhe personazhe të jetës politike shqiptare. Këto njohuri të përvetësuara në “zonat e ndaluara”, ku kombinohen formulat politike, Blushi mëton t’i marrë si motive kryesore në kompozimin e veprave të tija letrare. Nëse do t’i mbetemi besnikë pikëpamjeve letrare, të forcuara edhe më tej falë përvojës që përjetuan shkrimtarët shqiptarë gjatë diktatit socrealist, pa hezitim mund t’i përmbahemi mendimit se një letërsi nuk mund të quhet e tillë, nëse i kushtohet apo krijon varësi nga politika. Në veprat e Blushit klima politike, konfliktet brenda saj, prapaskenat dhe komplotet, me vullnetin e tij të plotë zënë një vend kryesor dhe të këtu nuk ka më vend për diskutim apo debat, pasi në këtë prizëm shenjat janë të qarta dhe kanë konturuar një bazoreliev figurash e personazhesh.

Me krijimtarinë e Ben Blushit, mund të merresh gjatë por le të ndalemi tek romani i tij i sapo botuar “Komploti”. Edhe pse autori i zhvendos ngjarjet në vitin 2044, (jo rastësisht periudhat përkojnë më Besëlidhjen e Lezhës mbajtur me 2 mars 1444, me synim kryesor bashkimin e Principatave të Arbrit por edhe me vitin 1944, ku pikëtohet sërish me çlirimin e Shqipërisë dhe aleancat me vendet e kualicionit të madh antifashisht), kohëra kur spektri politik ndryshon ngjyrën e lëkurët, ku parimisht dihet por edhe aludohet vendosja e një sistemi të ri social – politik në viset shqiptare. Brenda këtij kuadri të inskenuar nga Blushi, ku ndërthurren retrospektiva me aktualitetin, jo rastësisht gjatë leximit përvijohet silueta e një udhëheqësi dhe mbasë kundërshtari të përjetshëm, pikërisht kjo fizionomi i përket dhe autori iu blaton Edi Ramës i cili përsillet në krejt brendinë si një personazh i padukshëm, më saktë i fshehur dhe i shpërndarë në krejt romanin. Protagonizmi i tij pluskon në krejt këtë të ashtuquajtur “fiction” dhe nuk duket si një aktor që ka e lënë skenën, përkundrazi në ndonjë rast, nën maskën e ndonjë personazhi, identikiti i tij shfaqet i pacënuar. Kurse vet Blushi, si narratori kryesor dhe dirigjent i krejt orkestrës së personazheve që i ka ngujuar brenda subjektit, përngjan me një korrespondent të ngjarjeve, kinse shpërfillës deri në pafajësi por në thelb dekonspirues i skenarëve të stisur në laboratorët e politikës. Ai realitet shumëkombësish, padyshim që ka një autor, një arkitekt të këtij sistemi të ri politik, një programues të vijimësisë dhe padyshim një zbulues dhe tradhëtor të papenduar të kësaj ideologjie. Në të vërtetë, romani nuk është skematik përkundrazi por ai deshifron dhe zbërthen skemën prej së cilës shoqëria shqiptare rrezikon të mbërthehet në një të ardhme jo fort të largët.

Parë në këtë këndvështrim, marrëdhënia e Prijësit me pasardhësin e tij renegat, (më saktë e udhëheqësit ndaj opozitarit të tij brenda gjindjes), përngjan me çuditërisht me rrëfenjën e llampës së Aladinit. Duhet thënë qartë dhe hapur se kur i pari shpalos fshehtas një ide, është i dyti ai që ia realizon por edhe ia dekonspiron atë nëpërmjet llapmës së tij kur stis një nuskë për të krijuar një realitet që t’i përgjigjet parafytyrimit të të parit dhe kështu ndërtohet vetvetiu një realitet. Në përgjithësi aty ku letërsia del në plan të dytë dhe në fron ngjiten principet e pushtetit, në mënyrë të natyrshme dhe të paramenduar nga autori, vepra merr drejtimin e një traktati të kamufluar politik, një kod që paracakton udhën që i duhet të përshkojë një shoqëri, e cila pas çdo ndalese, duket se po humb gradualisht identitetin e saj si edhe busullën e orientimit drejt ardhmërisë.
Letërsia ndihet se hera herës nëpërkëmbet nga autori, përdoret e diku joshet prej tij si mjet a mënyrë për të realizuar deri në fund intrigën e veprës, nëpërmjet mendësisë dhe veprimtarisë së personazheve. Tek veprat e Blushit duhet nënvizuar treguesi sinjifikativ i tyre sepse ato vërtetë qëndrojnë mbi një strukturë të konsoliduar romanore por lipset të saktësohet se në epiqendër të tyre mbizotëron dukshëm klima e politikës, ecuria dhe drejtimet e saj, e cila edhe pse nuk trupëzohet natyrshëm me artin e shkruar por krijon një frymërrje artificiale, çka në vijimësi mund të sjellë fatalitet sa i përket marrëdhënies së lexuesit me letërsinë dhe komponentët identitarë të saj.

S’ka sesi të mos vihet në pah fakti se “Komploti” në vetvete, ndërtohet nga personazhe që vijnë nga komunitetet etnish të ndryshme të krijuara brenda Shqipërisë, e cila në këtë roman na shfaqet si një republikë multietnike. Në sfondin e saj regëtijnë agresione dhe triumfe bajlozësh të cilët shihet qartë se shfaqin prirjen për të marrë në duar frerët por edhe fatet e Shqipësisë shumëkombëshe. Etnitë që e përbëjnë shoqërinë dhe që përfaqësohen në rrjedhën e ngjarjeve janë kryesisht, individë apo grupime që vijnë nga vende me probleme dhe konflikte territoriale apo fetare; si afganë, sirianë, rusë hebrej dhe grmbullimi i tyre pikërisht në një vis, i cili është synuar që nga kohërat antike, mesjetare por tashmë edhe ato moderne nga fuqi potenciale ndërkombëtare dhe ku së fundi shfaqet i tjetërsuar, dëshmon pikëpamjen e tij se fortesat shqiptare do të bien një ditë njëra pas tjetrës dhe ku shqiptarët nuk do të jenë më zot të fateve të tyre por shoqëria shqiptare do të duhet të shndërrohet në një popullatë muhaxhirësh, në kërkim të mbijetesës diku nëpër botë. Blushi pikërisht i mbledh dhe i përball këta individë më njëri tjetrin, posaçërisht në një hapësirë që njihet dhe vlerësohet si në askeptin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar për harmoninë fetare dhe bashkëjetesën midis kombësive të ndryshme.
Sa i përket AND së tij si shkrimtar ku rolin kryesor e përfaqëson stili i tij, e shoh të udhës të pohoj se stili i Ben Blushit ka një origjinalitet dhe besoj se nuk do të ketë pasues në llojin e tij, si politikan por ashtu edhe si shkrimtar, pasi në të përzihen dhe konvergojnë pesë element përbërës: publicisti, analisti, politikani, eseisti dhe letrari, pikërisht ashtu siç inkuadrohen një tërësi republikash brenda një unioni.

Tek e fundit ajo që mbetet të themi pa kurrëfarë kompleksiteti ndrydhës ka të bëj më faktin se Blushit megjithë djallëzinë e tij shkrimore, i duhet njohur një meritë e cila shëmbëllen me një dekoratë që autori e vetvendos në gjoksin a tij, dhe ajo ka të bëj me maninë për ta shndërruar Shqipërinë në një nga qendrat e botës në mesin e shekullit të XXI, kohë kur mbarë globi është përfshirë nga lëvizje dhe transfomime të mëdha.

Kështu pra, le të themi se kjo vepër e shkruar nga Ben Blushi, kurrësesi nuk është krijuar dhe udhëhequr në mënyrë intuitive por falë një koshience të plotë dhe gjakftohtë e cila transformohet dhe shumëfishohet në një valë goditëse për vetëdijen e të gjithë atyre që do ta lexojnë këtë roman dhe do të bëhen protagonistë të “Kompotit”. Tinëzisht ai, rreket të devijojë nga tiparet e letërsisë së traditës, e të deformojë, madje edhe drejtimet që po merr letërsia moderne pas rënies së regjimit komunist. Ja kështu si pak i krisur dhe në dukje kryeneç e aspak social me motivet e aktualitetit, ai besoj se nuk do t’i njohë më as shenjat paralajmëruese që do të hasë në të përpjetën që po merr në nxit e sipër. Ai çdo ditë e më shumë shihet se nuk po i prek më as instrumentet por edhe metodat me të cilat punuan dhe farkëtuan letërsi të mirëfilltë dikur gjyshi i tij Dhimitër Shuteriqi dhe më pas ati i tij Kiço Blushi sepse tanimë e tutje “Beni ecën vet”.

*Dr. Ermir Nika
Përgjegjës i departamentit të arteve të aplikuara në Universitetin Europian të Tiranës

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: