Shkrimtari Ben Blushi ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentë dhe të rinj në Universitetin Europian të Tiranës, ku ka prezantuar librin e tij më të fundit, “Historitë e Çmendura të Tiranës”.

Gjatë diskutimit, Blushi foli për përzgjedhjen e 100 personazheve që kanë jetuar në Tiranë përgjatë 400 viteve të fundit, duke zbuluar edhe kriteret që e kanë udhëhequr në ndërtimin e kësaj vepre.

“Personazhet e mi janë të vdekur ose të çmendur”, u shpreh Blushi, duke shpjeguar se mbi këto dy kritere ka vendosur të përfshijë në libër figura të njohura dhe më pak të njohura, ndërsa ka lënë qëllimisht jashtë disa emra që lexuesi mund të priste t’i gjente në faqet e tij, si Ismail Kadare apo Dritëro Agolli.

Gjatë bashkëbisedimit, shkrimtari u ndal edhe te roli i letërsisë në shoqërinë e sotme dhe ndikimi gjithnjë e më i vogël i shkrimtarëve në raport me të kaluarën. Sipas tij, vitet 1800-1900 shënuan periudhën kur u krijua një pjesë e letërsisë më të mirë botërore, ndërsa autorë si Dostojevski, Pushkini, Gogoli, Viktor Hugo, Alexandre Dumas, Flaubert dhe Goethe vijojnë të lexohen edhe sot.

Blushi vuri në dukje se zhvillimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale ka ndryshuar mënyrën sesi shoqëria percepton figurat publike, duke bërë që vëmendja të mos përqendrohet më te shkrimtarët, por te personazhet që bëhen të njohur përmes platformave si Instagrami.

“Si shkrimtar para 50 apo 100 vjetësh ishe një lloj stari, një yll. Sot yjet nuk janë më ata që shkruajnë, bëjnë libra, por janë ata që dalin në Instagram. Pra, bota ka ndryshuar shumë shpejt. Disa zanate, sidomos që merren me shpirtin më shumë, se shpirti është i padukshëm, nuk del në Instagram ose në Facebook, këto po avullojnë. Shkrimtarët, për fat të keq, nuk e kanë sot më peshën e shumë viteve më parë, kur teknologjia nuk e kontrollonte botën kaq shumë sa sot”, u shpreh Blushi.

Përveç bashkëbisedimit mbi librin dhe letërsinë, shkrimtari u nderua edhe me Certifikatë Mirënjohjeje nga Universiteti Europian i Tiranës, për kontributin e tij në prozën dhe eseistikën shqipe, finesën stilistike dhe promovimin e vlerave krijuese.

Në ceremoninë e vlerësimit, presidenti i UET-së, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, e cilësoi Ben Blushin një prej fenomeneve të letërsisë shqipe, duke vlerësuar kontributin e tij në botën e letrave pas largimit nga politika.

“Njeriu i mençur e di ku është vendi më i çmuar për ta harxhuar kohën e tij. Ndoshta politika e humbi një personalitet si Blushi, por nga ana tjetër e fitoi bota e letrave dhe mendoj që sot zoti Blushi përbën një nga penat, një nga fenomenet letrare të padiskutueshme. Unë vetë jam një admirues dhe lexues i veprave. Më kanë ngelur shumë në mendje nga ato, por ‘Të jetosh në Ishull’ ka qenë për mua ndoshta libri më interesant”, u shpreh Xhepa.

Nga “Të jetosh në ishull”, libri i parë që e prezantoi si shkrimtar në vitin 2008, deri te botimi më i fundit “Historitë e Çmendura të Tiranës”, Blushi ka ndërtuar një karrierë letrare gati 20-vjeçare, me dhjetëra tituj, personazhe dhe histori që kanë lënë gjurmë në letërsinë dhe kulturën shqipe.

Në përfundim të takimit, Blushi shprehu shpresën se letërsia do të vijojë të mbijetojë, pavarësisht ndryshimeve të mëdha që po pëson bota dhe mënyra e komunikimit.

“Shpresoj shumë që letërsia të mbijetojë dhe këto janë arsyet pse ne shkrimtarët shkruajmë akoma dhe e bëjmë këtë zanat”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb