Nga: Gerilina Kodheli*

“A do si kjo” është titulli i këngës më të re të Ronela Hajatit, një videoklip që ngjalli shumë polemika, ende pa u publikuar. Shfaqja e një grupi balerinësh të veshur si xhihadistë tërhoqi jo pak vëmendjen e audiencës, madje edhe të policisë, që siç thuhej, ngriti akuza ndaj këngëtares së njohur. Megjithatë, siç ndodh rëndom, gjërat nuk janë ashtu siç duken… Ronela Hajati na sqaron në këtë intervistë gjithçka mbi videoklipin dhe akuzat kundër saj për promovim të terrorizmit, e jo vetëm… Këngëtarja flet për herë të parë për marrëdhënien e saj me Young Zerka, për të cilin flitet se kanë një histori dashurie, të vërtetën mbi “sherrin” me ish-mikeshën e saj të ngushtë Samanta Karavella dhe bilancin mbi këtë vit sa të vështirë aq edhe pozitiv.
Sa kohë të është dashur ta punosh këtë këngë?
Është punuar shpejt, duke qenë se duhet të nxirrja diçka patjetër, meqë kisha kohë që nuk publikoja diçka timen. Kënga është realizuar për tri javë, gati një muaj. Është një projekt i punuar nga De Vox, një Dj dhe kompozitor shumë i talentuar dhe kemi punuar të gjithë si grup për ta realizuar sa më mirë. Shpresoj që të pëlqehet.
Tekstin e ke bërë vetë?
Po, unë bëj për të tjerët jo më për vete.
Fabula ka si protagoniste një princeshë?
Protagoniste e këngës është një vajzë, e cila do një djalë, lidhja tipike e dashurisë që është në rolin kryesor në çdo këngë, apo në 90% të këngëve. Është një vajzë, që për të fituar dashurinë e djalit është e gatshme të nxjerrë shumë anë të karakterit të saj, si vajzën paqësore, vajzën e urtë, çapkënen, mistrecen, gangstere, që bën si djalë, të shkathët, vajzën seksi, luftarake, që rebelohet… Pra, një vajzë që i ka të gjitha dhe bën gjithçka për të fituar djalin.
Ende pa u publikuar, klipi ka qenë në fokus të mediave dhe publikut për shkak të veshjeve si xhihadistë të balerinëve…
Nuk janë të veshur si xhihadistë, është një keqinformim brutal që i është bërë publikut, jo nga ana ime dhe jo me dëshirën time. Kush e ka parë klipin, e ka kuptuar që ato janë thjesht veshje sheikësh, alla karnavale. Është një grup baleti i identifikueshëm, të veshur me të zezë dhe gold. Nuk ka aspak lidhje me terroristët, sepse nuk do kisha dalë me flamurin e paqes aty. Nuk më ka lënë mendja, jam totalisht kundër luftës dhe ekzibicioneve të tilla jashtë logjikës. Është vetëm diçka metaforike, që tregon vajzën që vjen si princeshë e shoqëruar nga njerëzit e saj të besuar për t’i shkuar djalit. Nuk ka lidhje me terrorizmin.
E kujt ishte ideja që ta përfshinte këtë detaj në videoklip?
E imja, siç kanë qenë edhe detajet e tjera. Skenat në videoklip nuk kanë lidhje njëra me tjetrën, sepse një vajzë që vishet trendy, me xhiboks, me syze bling-bling, nuk ka lidhje me një vajzë tjetër që vishet me të zeza, si princeshë dhe me pupël në kokë. Ishte një lloj përzierje karakteresh, që ne dëshironim ta nxirrnim me anë të pamjes.
Ke kaluar periudhë të vështirë këtë vit?
Ky vit ka pasur gjëra shumë të mira dhe shumë të këqija, por meqë të gjitha gjërat kanë qenë shumë, e kanë neutralizuar njëra-tjetrën dhe ia kam dalë, jetoj.
Sipas bilancit tënd, do ta quaje pozitiv, apo negativ?
Do ta quaja vit i mundueshëm, por me një dritë shumë të fortë në fund. Jam optimiste si gjithmonë. Nuk i kam dhënë vetes arsye, e as të tjerëve që të mos jem optimiste.
Ronela, identifikohesh si një vajzë rebele ndaj padrejtësive dhe që lufton me forcë…
Fakti që nuk i pranoj padrejtësitë është gjëja më e mirë që kam në karakter, por e shoh shumë pak tek njerëzit dhe kjo më bën që të rebelohem më shumë. Jam njeri që e dua shumë të drejtën dhe dua gjithmonë të shikoj punën time e mos të përzihem fare me të tjerët. Nuk kam pasur as zili dhe as smirë për askënd, por dua që secili të marrë atë që do dhe meriton, as më shumë e as më pak. Këtu bëjnë pak dhe marrin shumë, ose bëjnë shumë dhe marrin pak. Këto nuk i kam qejf fare.
Kur thua që nuk ke xhelozi dhe smirë për askënd, do të thotë që kanë të tjerët për ty?
Nuk mund të them që më kanë zili kolegët, është shumë e vjetër si batutë. Por egoizmi dhe ambicia tek vetja ekziston në çdo lloj profesioni dhe tek çdo njeri. Askush nuk dëshiron që një tjetër të jetë më mirë se ai, por nuk duhet t’i marrësh hakën tjetrit, këtë e urrej. Nëse do të jesh më i miri, puno që t’ia dalësh. Megjithatë, e ndjej që më sulmojnë shumë njerëz dhe kanë shumë qejf të më fundosin. Ndoshta ngaqë kur je filiz i ri, mendojnë se mos u merr hakun. Kanë një frikë të brendshme dhe thonë sa nuk ka ngritur kokën, t’ia shtypim. Kjo është motoja e zakonshme, por nuk më intereson fare.
U bënë 10 vjet që je në skenë, nuk mendon se është vonë për këtë?
Unë jam bërë pjesë e skenës që 12 vjeç, por nuk do të thotë asgjë. Asnjëherë nuk është vonë. Ka njerëz që e kanë arritur suksesin e dëshiruar pas 15 vjetësh. Unë këto vite karrierë i kam arritur me shumë mundim dhe shumë forcë, por ende nuk jam aty ku dua të jem, kam akoma shumë punë për të bërë.
Ka raste që lodhesh nga e gjithë kjo luftë?
Çdo njeri lodhet dhe ka momentet e veta të mira dhe të këqija, që mendon, reflekton, mërzitet e gëzohet. Edhe unë jam si gjithë të tjerët, por jam njeri shumë emocional, i përjetoj shumë gjërat, qoftë të mira, qoftë të këqija, njerëzit që i dua i dua me shpirt dhe ata që i kam inat i kam inat me shpirt. Por nuk mund të them që i kam bërë keq njeriu, kurrë. Sado që jam impulsive, jam për veten time, nuk jam natyrë ngacmuese dhe nuk stimuloj sherre e grindje, nuk jam intrigante.
Ka miqësi në showbiz?
Ka, pse të mos ketë? Ne nuk kemi tamam showbiz, por nuk më duket arsye që mos të ketë miqësi, njerëz janë si të gjithë.
Nga festivalet ke hequr dorë, je zhgënjyer, apo thjesht nuk të është dhënë rasti të marrësh pjesë?
Jo, këtë vit nuk kam marrë pjesë pasi fillimisht nuk kam gjetur kohë dhe së dyti nuk kisha një këngë të denjë për ta çuar në festival. Për çështjen e festivaleve duhet të mendohesh dhe të përpiqesh më ndryshe sesa për klipet, nuk është paraqitja më shumë sesa kënga. Unë kam qenë veterane e festivaleve dhe punën më të madhe e këngët më të mira i kam pasur në festivale, më vonë kam vazhduar me videoklipe.
Çfarë planesh ke tani?
Kënga “A do si kjo” ka dalë dhe dua që mos të ndalojë më fare, të nxjerrë vrullin e kohës që kam munguar dhe të vazhdoj me publikimin e këngëve të reja. Dua që më 14 shkurt të publikojë vazhdimin e “Mala Gata”, është një skenar që e kam menduar prej shumë kohësh. Është një skenar shumë i bukur, akoma më tragjik se i kaluari. Normalisht do të ketë lidhje me të parin, sepse janë të njëjtët aktorë, por do të jetë shumë më “prerje damarësh” sesa i pari. Edhe kënga do të jetë e të njëjtës rrymë. Më pas dua të nxjerr një këngë tjetër solo.
Çfarë ka mes teje dhe Young Zerka?
Asgjë, e kam shumë xhan, e kam shumë mik, është shumë djalë i mirë. Është një njeri që në showbiz e gjen rrallë, sepse njerëzit edhe kur nuk duan bëhen intrigantë nga rrethi që kanë. Ai është djalë shumë social dhe na ka lidhur puna që kur Zerka ka kontribuar vokalisht tek kënga “Tiger”, që nuk do publikohet me video. Që aty kemi pasur miqësi shumë të mirë.
Pse mendon se shkruajnë mediat çdo javë që ju jeni bashkë?
Ndoshta prej kërcimit provokatik që kishim në “Dancing with the stars”.
Po me Samantën çfarë ka ndodhur? Ishit mikesha të ngushta bashkë, pse i keni prishur marrëdhëniet?
Samantës i uroj gjithë të mirat, të shkojë lart e më lartë. Njerëzit nganjëherë shkëputen dhe ftohen marrëdhëniet edhe kur janë mirë. Unë nuk jam njeri që bëj sherr, nuk kam bërë kurrë sherr me njeri.
Është e vërtetë që jeni zënë për Skivin?
Joooo, kurrë. Nuk më ka ndodhur kurrë diçka e tillë. Më duket arsye ordinere për t’u zënë me një femër tjetër.
Është afër apo larg dashuria për ty?
Afër. Kur të vijë do ta them vetë, më besoni.
(ma.ar/Vip pages/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: