NGA: ENIDA HIMAJ* Me klipin e saj të fundit ka rrëmbyer të gjithë vëmendjen e publikut. Të shumtë kanë qenë ata që e kanë komentuar si pornografike, por vetë këngëtarja shprehet se nuk është hera parë që zhvishet dhe se sensualiteti im lidhet ngushtë me muzikën që bën. Rovena Stefa në këtë intervistë për “Bluetooth”, përgënjeshtron thashethemet rreth operacioneve plastike, duke rrëfyer se format i ka prej geneve dhe kujdesit që tregon. Edhe pse nuk ka pranuar të flasë shumë për jetën private, nuk është e largët dita kur Rovena do të rrëfejë për një histori të re dashurie në horizont. Krejt pa komplekse rrëfen edhe për pasurinë, pasi jo rrallë herë është etiketuar si një prej këngëtareve më të pasura. “Jam e pasur me këngë e dashamirës”, është shprehur ajo.

Sapo keni lançuar klipin tuaj më të ri, si është pritur kënga?
Kënga është pëlqyer mjaft, klipi ka ngjallur si gjithmonë polemika. Jam e kënaqur që çdo gjë që unë bëj në muzikë nuk kalon pa u diskutuar gjatë, pa lënë përshtypje të mëdha në mbarë publikun tonë.

Cilat kanë qenë komentet deri më tani, a jeni kënaqur nga ato çfarë janë thënë?
Qëllimi im kur bëj një projekt të ri, është të ngacmoj nivelin artistik e kulturor të njerëzve. Në këtë mënyrë është e zakonshme apo e pritshme të ketë diskutime e polemika, kështu në një mënyrë zhvillohet kritika artistike dhe mentaliteti ynë, i cili, për hir të së vërtetës, duhet thënë se lë shumë për të dëshiruar.

Kishit kohë që i kishit munguar skenës me një klip, përse kjo shkëputje, me çfarë është marrë Rovena në gjithë këtë kohë?
Në fakt, edhe pse nuk kam sjellë video këto kohët e fundit, kam qenë aktive me koncerte e mbrëmje muzikore, dasma e evente të tjera. Jeta ime muzikore ka vazhduar normalisht. Mendoj se nuk është e shëndetshme të sjellësh një produkt të ri, një këngë të re, kur nuk e ndjen ta bësh këtë gjë. Pavarësisht se arti sot është kthyer në biznes, unë prapë këmbëngul se kënga duhet të vijë si frymëzim artistik e jo si plan pune.

Vendosni të vini sensuale në këtë klip, përse zgjodhët të paraqiteshit në këtë formë?
Unë si këngëtare shquhem për paraqitjet e mia sensuale, sepse sensualiteti im është i lidhur ngushtë me mënyrën si unë këndoj. Prandaj unë nuk bëj plan, e thashë edhe më lart, çdo performancë tek unë vjen me gjithë qenien time, pa ndryshuar asgjë, pa prerë, krasitur apo cunguar asgjë. Shpirti im artistik është kështu siç e shikoni edhe ju, me gjithë dimensionet e tij sensuale, rebele, ëndërruese.

Fragmentet e klipit janë komentuar edhe si pornografike, si u jeni përgjigjur këtyre akuzave?
Besoj e keni parë edhe ju se nuk ka asgjë pornografike aty. Ato janë thjesht përcaktime të rreme sa për të tërhequr vëmendjen e publikut.

Prej vitesh keni një karrierë të shkëlqyer muzikore, tani që keni ardhur provokuese në klipin tuaj, a mendoni se fansat do të ndryshojnë qëndrim ndaj jush?
E thashë edhe më lart, se kjo nuk është hera e parë që unë shfaqem në këtë formë para publikut tim. Kujtoj këtu videon “Malli”, që ngjalli po aq reagime e polemika, por se natyrisht u bë një hit i madh e një këngë mjaft e kërkuar, që edhe sot ma kërkojnë në koncertet e mia, ashtu siç më kërkojnë edhe “Adresë pa emër”, “Dasma”, “Burrë të martuar”, “Me kapele karrocieri” etj.

A shet ekstravaganca sipas jush?
Ekstravaganca është një shprehje e rebelizmit, dhe natyrisht që merr vlerë kur është reale, kur vjen nga brendësia e artistit. Nëse sheh një djalë të ri që ka shpirtin e butë, por që vishet me lëkura e zinxhirë për t’u dukur ekstravagant, ai djalë duket qesharak në sytë tanë. Jaguari është ekstravagant, dhe na pëlqen ta shohim të tillë, ndërsa lepuri nuk mund të jetë ekstravagant sado të përpiqet.

Shumë shpesh shohim këngëtare të reja që e nisin karrierën me shfaqje sensuale, sipas jush a do të kenë jetëgjatësi në tregun muzikor?
Nëse ato do të jenë të vërteta në ato që shprehin me performancën e tyre, atëherë do të jetojnë gjatë.

Keni parë artiste që në një mënyrë apo në një tjetër janë përpjekur t’ju imitojnë?
Plot, por e kuptoj edhe këtë fenomen, është në natyrën e njeriut të përpiqet të imitojë dikë që e pëlqen. Është ndoshta fenomeni më i shpeshtë në botën njerëzore.

Mos vallë ky klip është paralajmërim për një verë të nxehtë, çfarë do të shikojmë tjetër nga ju? Ndoshta një klip ku të guxoni më shumë?
Unë do të prodhoj shumë shpejt një këngë të re, sepse kam dëshirë të madhe të realizoj një projekt që më fle në mendje prej disa kohësh. Do ta shikojmë bashkë së shpejti të përfunduar.

Dukeni në një formë perfekte trupore, cili është sekreti juaj?
I kam genet e mira, edhe ha me kujdes. Këtu në Shqipëri vërej se njerëzit hanë shumë brenda një vakti, bëj habi me racionet e stërmëdha nëpër restorante. Trupi i njeriut është mjaft delikat, duhet të dimë ta trajtojmë me kujdes.

Është përfolur se keni bërë disa ndërhyrje kirurgjikale, a ka diçka të vërtetë në këtë lajm?
Jo, jo dhe jo! Thjesht bëj palestër e ushqehem me kujdes.

Shumë hermetike dhe në jetën tuaj private, por mesa duket diçka ka ndryshuar, mos vallë keni gjetur njeriun e jetës? Do të na zbuloni më shumë rreth identitetit të tij?
Kur të vijë koha, do e zbulojmë.

A është e dashuruar Rovena, çfarë duhet të ketë një mashkull që të tërheqë vëmendjen tuaj?
Duhet të jetë serioz në mendime, në veprime dhe në dashuri.

Është xheloz partneri teksa ju shikon ‘hot’ në klipin e fundit?
Hahaha, ndoshta, nuk mund ta di.

Do të zgjidhnit si partner një koleg këngëtar?
Pse jo, nuk kam problem me profesionin, mjafton të mos jetë balerin.

Sa jeni pasuruar nga kjo punë, pasi shpesh thuhet se jeni ndër këngëtaret më të pasura?
Jam e pasur me këngë e dashamirës, por edhe që më janë shpërblyer financiarisht punimet e mia, jam falënderuese edhe për këtë. Faleminderit zot, faleminderit njerëzit e mi më të dashur, Faleminderit të gjithëve. Ju dua me të vërtetë.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: