TIRANE- Ish misi i parë shqiptar, Valbona Selimllari ka rrëfyer punën e saj të re si këshilltare e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. E ftuar në emisionin “Pasdite në Top Channel”, Valbona ka rrëfyer se si i erdhi propozimi nga një mikeshë, por edhe nga vetë Erion Veliaj. Ndër të tjera ajo tregon se nuk mund t’i thoshte ‘Jo’ kësaj pune kur mësoi se do kishte pjesë të saj edhe çështjet sociale, njerëzit në nevojë dhe fëmijët.

Valbona Selimllari tregon ndjesitë e para edhe pse është në fillimet e punës së saj, ndërsa shprehet se puna nuk ka lidhje me politikën apo me imazhin e saj. Ajo tregon me mjaft emocion punën me fëmijët që merren nga rruga.

“Kam mbetur e surprizuar nga ata fëmijë. Unë nuk e dija në fillim, por një pjesë e fëmijëve që kemi vizituar merreshin nga rruga dhe këshillohen pse nuk duhet të rrinë në rrugë. Unë ju kam dhënë edhe detyra atyre fëmijëve që trajtohen në qendrat sociale. U thashë që nëse sillen mirë, në fund të këtij muaji ne do këndojmë bashkë. Ishte diçka që më lindi nga shpirti dhe do ta mbaj fjalën”- ka thënë Selimllari.
Screenshot003
Ndërkohë sa i përket kreut të bashkisë dhe se si është të punosh me të, bukuroshja shqiptare ka mendimet më të mira.

“Erionin e njoh edhe më herët. Nëse propozimi për të qenë pjesë e bashkisë nuk do të vinte nga ai, unë nuk do isha në këtë pozicion. Është djalë punëtor dhe me ambicie. Më vjen mirë që edhe tani pas kaq vitesh kam gjetur atë Erionin që njoh unë. Ne personazhet e ekranit duhet të pranojmë se nuk na duan të gjithë. Ka edhe nga ata që thonë “tani që ke filluar këtë” mendojnë se po merrem me politikë. Unë vlerësoj atë që bëhet dhe nuk kam qasje politike”- ka thënë Valbona Selimllari.

(d.d/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb