Danilo Alvesh është i lumtur për rikthimin në Vlorë, që e cilëson si në shtëpi. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, sulmuesi brazilian tregon edhe arsyet e divorcit me turqit e Afjet Afyonspor. Problemet me jetesën në hotel, ushqimi, por edhe shëndeti i djalit ndikuan që Alvesh të largohej menjëherë nga Turqia, ndërkohë që ndihet me fat që u federua vetëm në minutat e fundit të merkatos verore.

Danilo, përse u larguat nga klubi turk Afjet Afyonspor?
U largova nga Turqia për shkak të organizimit të klubit. Kemi pasur disa mosmarrëveshje dhe vendosa të prish kontratën.

OK, po çfarë nuk shkonte. Na tregoni cilat ishin këto mosmarrëveshje?
Mosmarrëveshjet mes meje dhe klubit turk lindën për shkak se ata donin që unë dhe familja ime të jetonim brenda një hoteli. Djali im u sëmur, sepse ai nuk po hante mirë. Për ne të huajt fillimi është i vështirë, sepse do kohë sa të mësohemi me ushqimin e një vendi tjetër.

Ishin vetëm arsye familjare që ikët nga Turqia?
Po. Ishte një situatë që lidhej me familjen. Ne po kërkonim shtëpinë tonë, siç ishte e parashikuar edhe në kontratë, por kjo gjë nuk na u përmbush. Ditët po kalonin dhe në këto kushte, familja dhe unë nuk ishim të kënaqur me këtë situatë. Ne ishim të detyruar të jetonim në një hotel. Në këto kushte preferova që të largohem nga klubi, pasi nuk mund të vazhdoja dot më. Nxitova dhe ika pa u mbyllur afati ku mund të transferohesha në një ekip tjetër.

Marrëveshja u arrit vetëm në ditën e fundit të merkatos me Flamurtarin… ?
Po. Presidenti Idrizi më kontaktoi përpara se të mbyllej dritarja e transferimit. Kisha vetëm një ditë kohë për t’u regjistruar në Shqipëri dhe gjithçka ishte në limit. Për fat të mirë nuk ndodhi ndonjë problem me dokumentacionin. Rrezikoja shumë, por çdo gjë u krye në kohë rekord dhe ja tek jam sërish në Vlorë.

U larguat dhe u kthyet sërish. Jeni i lumtur që do të luani me Flamurtarin?
Jam shumë i lumtur që kthehem në shtëpinë time. Unë dhe familja ime ndihemi në Vlorë si në shtëpinë tonë. Flamurtari është familja jonë e madhe. Është vërtet kënaqësi që të jemi sërish këtu dhe të mbajmë veshur fanellën kuqezi edhe për sezonin e ri.

Ishit ju që sinjalizuat klubin për prishjen e marrëveshjes në Turqi apo dikush nga Flamurtari kishte mësuar diçka dhe ju kërkoi rikthimin?
Dua të shpreh sërish lumturinë time që presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, më priti përsëri në ekip. Ishte pikërisht ai që më kontaktoi, ndaj jam shumë i lumtur që u ktheva përsëri. I jam shumë mirënjohës Idrizit për atë çfarë ka bërë për mua edhe në periudhën e mëparshme që isha pjesë e Flamurtarit. Për dashurinë dhe ngrohtësinë që më ka falur mua dhe familjes time, i jam mirënjohës. Respekt edhe për tifozët e mrekullueshëm të Flamurtarit, por edhe për qytetarët e Vlorës së bukur, që më kanë mirëpritur dhe mbështetur gjithmonë.

Përse Flamurtarin dhe jo një ekip tjetër në Shqipëri?
E kisha thënë edhe më parë, që nëse do të rikthehesha në kampionatin shqiptar, do të isha vetëm pjesë e Flamurtarit.

Çfarë premton Alvesh për tifozët dhe si e sheh skuadrën që tashmë drejtohet nga trajneri Ilir Daja?
Unë premtoj që do të jap më të mirën time për Flamurtarin, ashtu sikundër kam bërë gjithmonë. Shpresoj që së bashku me ekipin të arrijmë objektivat dhe qëllimin që ka klubi këtë sezon.
Burimi:Panoramasport.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb