TIRANE- Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, vjen sot në një rrëfim ndryshe, duke na treguar jo vetëm për angazhimin e saj në politikë, por edhe për jetën private. Në rubrikën “Këndi i ekselencës” në “Vila24”, ministrja Nikolla tregon vitet e studimit, dëshirën e saj për të studiuar për mjekësi, si dhe njohjen me bashkëshortin e saj, gjatë studimeve universitare.

“E kam patur ëndërr që unë të isha një mjeke. Kam insistuar për të ndryshuar degën dhe të studioja për mjekësi, por kjo nuk u bë e mundur. Ndërsa po të më pyesësh sot çfarë do dojë të studioje, unë do të thoja matematikë. Kjo falë një universiteti, ku unë i jam mirënjohëse të gjithëve. Kjo ka qenë një periudhë shumë e mirë e jetës sime. Në atë kohë kam njohur personin që u bë bashkëshorti im”, rrëfehet ministrja Nikolla në studion e “News24”.

Ministrja ka rrëfyer raportet me vajzën e saj, teksa thotë se ndihet krenare për arritjet e saj.

“Livia është drita ime e syve, ashtu si për çdo prind. Por unë dhe bashkëshorti im ndihemi të realizuar, pasi vajza jonë i ka përfunduar studimet me rezultate të shkëlqyera. Ajo që na bën ne të ndihemi shumë mirë si prindër është se gjithçka i kemi arritur me përpjekjet tona. Ne vijmë nga familje të thjeshta dhe gjithçka e kemi arritur falë angazhimit tonë. edhe vajza jonë përpjekjet e saj i ka përkthyer në rezultate. Ajo nuk i bazon përpjekjet e veta në emra apo mbiemra. Vajza ime nuk pëlqen që unë ta përmend apo të flas në publik për të. Ata që e njohin e dinë sa e tërhequr është. Vajza ka përfunduar në Shqipëri universitetin, e më pas si çdo i ri ka kërkuar të bëjë masterin jashtë. Kjo ka ndodhur para se unë të bëhesha ministre, pra kur fitoi masterin në Barcelonë. Aty studentëve më të mirë iu dha një bursë e plotë për të studiuar në Francë. Jemi kompleksuar nga kjo situatë, edhe për shkak të komenteve”, u shpreh Nikolla.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: