Mefushori belg i Romës, Radja Nainggolan është rrëfyer në një intervistë për “Times”, duke folur “pa dorashka”.
“Kisha vetëm nënë time dhe ishte e vështirë për të. Bënte 3 punë për të paguar shpenzimet. Ishte e vështirë të rriteshe në këto kushte.
Jam rritur në rrugë. Kishim një shtëpi, por isha gjithmonë në rrugë dhe vija vonë. Nuk isha i përqendruar te studimet. Kam bërë disa gabime. Kam vjedhur për të ngrënë, gjëra të vogla, kur kisha uri. Nuk ishte një kohë e mirë për mua”, tha mesfushori i Romës.
Futbolli e ka shpëtuar dhe ndoshta për këtë, Nainggolan i është mirënjohës karrierës së tij.
“Tani mendoj vetëm për Romën. Kanë shkruar për mua çdo ditë për 10 vite resht. Lërini të flasin, sepse unë jam mirë këtu dhe kam gjithçka që më duhet.
Familja ime jeton shumë mirë. Me Chelsea-n kishte diçka. Nuk u kontretizua, por kishte interes për mua. Në fund, zgjedhja nuk ishte e vështirë për mua. Më pëlqen futbolli anglez, por e urrej shiun. Ishim në Liverpool për dy ditë dhe shiu nuk pushoi për asnjë moment. Dhe për më tepër bënte shumë ftohtë”, tha Nainggolan.
Për sa i përket ndeshjes së kthimit kundër Liverpool për gjysmëfinalen e Champions League, mesfushori i Romës tha: “Jam një luftëtar. Edhe unë mendoj se është e vështirë të përmbysim rezultatin 5-2.
Por nuk është e pamundur. E bëmë kundër Barcelonës. Salah? Kam një marrëdhënie të mirë me të. Ishte i drojtur kur erdhi te Roma, por është një djalë i mbarë. Jam i lumtur për të. Ishte i fortë kur luante me Romën dhe është përmirësuar edhe më shumë te Liverpool”, u shpreh Nainggolan.
(BalkanWeb)
