Ndonëse policia ka dy autorë të dyshuar pas hekurave për rrëmbimin dhe vrasjen e 43-vjeçarit Ruzhdi Hoxha, motivet e krimit janë ende duke u hetuar. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për “BalkanWeb” dëshminë e djalit të viktimës dhënë policisë tre ditë pas zhdukjes së të atit.

Djali ka deklaruar se në fillim të tetorit, babai i tij dhe një person tjetër kishin marrë përsipër të digjnin makinat e firmës “Salillari” kundrejt një pagese prej 200 mijë eurosh, por kjo punë nuk ishte kryer. Djali ka dhënë informacione të shumta për aktivitetin e të atit si dhe njerëzit me të cilët shoqërohej në mënyrë që policia ta gjente sa më shpejt dhe të zbardhte ngjarjen.

Pikërisht aktiviteti i 43-vjeçarit është një nga pistat ku policia dhe prokuroria po heton për zbardhjen e motiveve të krimit.

Prokuroria e Rrethit gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal më 27 tetor për veprën penale “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit” për zhdukjen e biznesmenit 43-vjeçar Ruzhdi Hoxha.

Nga aktet në dosjen hetimore rezulton se më 24 tetor është paraqitur shtetasi S.H., i cili ka pretenduar se “kanë humbur kontaktet me babain e tij që më 21 tetor dhe dyshojnë se mund t’i ketë ndodhur ndonjë gjë e keqe”. Më pas është paraqitur shtetasi E.H., i cili ka deklaruar se babai i tij i kishte treguar se “së bashku me shokun e tij Gj. L., kishin marrë përsipër kundrejt pagesës 200 mijë euro të digjnin makinat e shoqërisë ‘Salillari’, të cilat ndodheshin në zonën e Marikaj, në afërsi të Vorës”. Këtë punë ia kishte gjetur vëllai i shtetasit Gj.L. Ata kishin shkuar më datë 7 tetor në këto ambiente, por nuk kishin mundur ta kryenin.

Për këtë ngjarje kishte dijeni dhe shtetasi E.Gj. Ky i fundit është në dijeni të një konflikti që ka pasur shtetasi Ruzhdi Hoxha me një shtetas të cilin e njeh vetëm me emrin Visi.

Nga deklarimet e marra rezulton se Ruzhdi Hoxha më 21 tetor, rreth orës 23:30, pasi ka qenë duke pirë kafe tek një lokal në autostradë, në rrugën dytësore ngjitur me një biznes të njohur, me dy shokët e tij E. B. dhe E.T. Më pas e kanë marrë në telefon dhe ka takuar shtetasi Fredi Rrushi, K.I. dhe A.F., të cilët kanë qenë me automjetin tip “Pasat” me ngjyrë gri. Të tre këta persona janë banues në zonën e Treshit në Tiranë. Pasi e kanë marrë në makinë ne tyre shtetasin Ruzhdi Hoxha janë nisur në drejtim të Treshit. Kur kanë mbërritur tek ky vend, shtetasi K.I. dhe A.F., kanë zbritur nga makina duke u ndalur tek lokali i shtetasit K.I., ndërsa Fredi Rrushi dhe Rruzhdi Hoxha kanë vazhduar duke bërë një xhiro me makinë në këtë lagje. Pasi kanë bërë një xhiro, Fredi Rrushi ka shpjeguar se e ka zbritur nga makina Rruzhdi Hoxhën në afërsi të stacionit të Treshit.

Nga administrimi i tabulateve të Ruzhdi Hoxhës, telefonata e fundit është ajo e datës 21 tetor, ora 23:42 me numrin e telefonit në përdorim të A.S.F. (në deklarime rezulton se Fredi Rrushi i ka kërkuar këtij shtetasi ta marrë në telefon Ruzhdiun).

Nga këqyrja e pamjeve filmike të sjella nga ana e shtetasi E.H., djali i viktimës, pamje të cilat janë të parkimit të ndodhur në hyrje të parkut të liqenit në Tiranë, rezulton se Ruzhdi Hoxha ndodhet në këto ambiente rreth orës 20:53 sipas orës së kamerave. Ai mban të veshur një xhup pa mëngë ngjyrë të errët, një bluzë, e cila nga pamjet duket si ngjyrë gri dhe pantallona të ngushta ngjyrë të errët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb