Që nga nisja e Luftës në Lindjen e Mesme, të shumta kanë qenë momentet kur është menduar se gjithçka mund të zgjidhej, por gjërat kanë shkuar edhe më keq, me sulme të ndërsjellta që kanë ndezur edhe më shumë luftën.

Por pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe Irani kanë lënë të kuptohet sot se ekziston ende hapësirë për dialog, në përpjekje për të shmangur një përplasje më të gjerë.

Kronologjia e ngjarjeve kryesore:

-28 shkurt – Konflikti shpërthen pasi SHBA dhe Izraeli nisin sulme ndaj Iranit, ndërsa përpjekjet diplomatike dështojnë.

-6 mars – Presidenti amerikan Donald Trump deklaron se nuk do të ketë marrëveshje “përveç dorëzimit pa kushte” të Iranit.

-21 mars – Trump vendos një afat, duke paralajmëruar goditje ndaj infrastrukturës energjetike iraniane nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet.

-23 mars – Afati shtyhet, me Trump që përmend “biseda produktive”.

-7 prill – Trump paralajmëron se “një qytetërim i tërë do të vdesë” nëse ngushtica nuk hapet para një afati të ri.

-8 prill – Pakistani, në rolin e ndërmjetësit, njofton një armëpushim dyjavor mes palëve për të vijuar negociatat.

-11 prill – Zyrtarë të lartë nga të dy vendet, përfshirë zëvendëspresidentin J.D. Vance dhe ministrin e jashtëm iranian Abbas Araghchi, zhvillojnë bisedime në Pakistan. Pas 21 orësh diskutimesh, palët mbeten larg një marrëveshjeje për çështjet kyçe.

-12 prill – Trump njofton bllokimin e porteve iraniane, duke rritur presionin ndaj Teheranit.

-17 prill – Araghchi deklaron se ngushtica do të mbetet e hapur për pjesën e mbetur të armëpushimit.

-18 prill – Garda Revolucionare Islamike njofton se do të rikthejë bllokadën në Ngushticën e Hormuzit. Nga ana tjetër, Trump deklaron se po zhvillohen “biseda shumë të mira”, por thekson se SHBA nuk do të “shantazhohet” për rrugën ujore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb