Dhuna dhe trazirat në Francë kanë vazhduar edhe sot ndërsa familja e adoleshentit Nahel Merzouk, i cili u qëllua nga policia, përgatitej për funeralin e tij.

Gjatë natës, qeveria nxori në terren 45,000 policë dhe disa automjete të blinduara për të ruajtur rendin ndërsa prej disa ditësh në të gjithë Francën po zhvillohen protesta të nxitura nga zemërimi që ka shkaktuar vdekja e 17-vjeçarit.

Nahel Merzouk me origjinë algjeriane dhe marokene, u qëllua gjatë një ndalimi trafiku të martën në periferinë Nanterre të kryeqytetit francez.

Ministria e Brendshme e Francës tha se 994 persona ishin arrestuar ndërsa njoftoi në rrjetin social Twitter për rënie të intensitetit të dhunës krahasuar me një natë më parë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Rrugët që të çojnë në vendin ku do të kryhen funerali dhe në varreza do të mbyllen, tha një dëshmitar për agjencinë e lajmeve Reuters.

Vdekja e tij, e cila është e regjistruar në video, ka rinxjerrë në pah ankesat për përdorimin e dhunës së tepruar dhe për racizëm sistematik nga punonjësit e policisë.

Presidenti Macron ka mohuar se ka racizëm sistemik brenda agjencive franceze të zbatimit të ligjit.

Ndërtesat dhe automjetet janë djegur dhe dyqanet janë plaçkitur në trazirat, të cilat janë përhapur në mbarë vendin, duke përfshirë qytete si Marseja, Lioni, Tuluza, Strasburgu dhe Lilli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb