Papa Leo XIV ka mbledhur rreth 700 mijë besimtarë në një Meshë të zhvilluar në ajër të hapur në Place de la Concorde, gjatë vizitës së tij katërditore në Francë.

Para Meshës, Papa përshkoi me papamobil Avenue Champs-Élysées, duke përshëndetur turmat e mëdha që kishin dalë në rrugë për ta parë.

Gjatë Meshës, Leo XIV vlerësoi veçanërisht rolin e të rinjve në Kishën Katolike, duke lavdëruar entuziazmin, energjinë dhe përkushtimin e tyre.

 

“Sa e bukur është të shohësh entuziazmin, energjinë dhe përkushtimin tënd, si dhe gëzimin që u sjell komuniteteve të krishtera”, u shpreh Papa, duke i cilësuar të rinjtë si “Kisha e sotme”.

Ai u bëri gjithashtu thirrje besimtarëve që të mos e mbajnë besimin vetëm për vete, por ta shprehin atë përmes mënyrës së tyre të jetesës dhe marrëdhënieve me të tjerët.

Në Meshë morën pjesë edhe figura të larta të politikës franceze, mes tyre bashkëshortja e presidentit Emmanuel Macron, Brigitte Macron, kryeministri Sébastien Lecornu dhe presidenti i Senatit, Gérard Larcher. Të pranishëm ishin edhe disa prej figurave që pritet të garojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Më herët, Papa vizitoi qendrën Maison Bakhita, e cila mbështet refugjatët dhe emigrantët, ku vlerësoi punën e saj dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së njerëzve që shpesh mbeten jashtë vëmendjes së shoqërisë.

Gjatë vizitës në Francë, Leo XIV ka folur edhe për zhvillimin e inteligjencës artificiale, duke paralajmëruar për rrezikun e humbjes së dimensionit njerëzor përballë përparimit teknologjik.

Pas Parisit, Papa udhëtoi drejt Lourdes, ku pritet të kremtojë një Meshë ku janë regjistruar rreth 150 mijë pjesëmarrës. Vizita e tij në Francë do të vijojë më pas në Metz, ku do t’i bëjë homazhe Robert Schumanit, një prej figurave të lidhura me themelimin e Bashkimit Evropian.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: