Në vitin 1982 Enver Hoxha botoi librin me kujtime “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, në të cilin përshkroi me mburrje mbylljen dhe armiqësinë e Shqipërisë komuniste nën sundimin e tij ndaj SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, dy prej tri fuqive të mëdha të koalicionit fitimtar anti-nazist, në luftën e dytë botërore.

​I botuar në muzgun e jetës së diktatorit, si pjesë e një kolane kujtimesh për të zbukuruar atë që e mendonte si përjetësi të tij, me episode dhe dëshmi që nuk kishte kush t’i kundërshtonte, vetë libri në fjalë provon se i vetmi “rrezik ” ishte qëndrimi anglo-amerikan kundër sundimit tiranik. Që Enver Hoxha, si çdo diktator i mbështjellë me flamurin e sovranizmit, e paraqiste si rrezik për vendin.

Sot çdo shqiptar me një minimum informacioni e di se nuk ka patur kurrfarë rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë. Në të kundërtën, privimi për rreth gjysmë shekulli nga marrëdhëniet diplomatike me SHBA, Britaninë e Madhe, Gjermaninë Perëndimore, ka qenë një humbje e pallogaritshme për Shqipërinë.

Mjafton të shohim bilancin e përftimeve të jashtëzakonshme të kombit shqiptar nga marrëdhëniet e ngushta me SHBA para pushtimit fashist më vitin 1939 dhe pas rënies së regjimit komunist në vitin 1991.

SHBA kanë rezultuar të jenë fati ynë në momentet kyçe të historisë. Çdo gjë që ka ardhur e vjen nga Uashingtoni ka qenë dhe është e mirë për Shqipërinë. E ardhmja e vendit tonë, e fëmijëve tanë mund të jetë demokratike, e sigurt dhe e zhvilluar vetëm në kuadrin e aleancës euro-atlantike, në miqësi të ngushtë me SHBA.

Gjashtë vjet me parë, SHBA u bënë promotorë të konceptimit, formulimit dhe votimit nga Kuvendi i Shqipërisë të Reformës në Drejtësi, e cila adreson zgjidhjen e problemit më të madh të demokracisë shqiptare, prej nga kanë rrjedhur e rrjedhin të tjerat: vendosjen e sundimit të ligjit në gjithë piramidën e shtetit dhe shoqërisë, në radhë të parë në sferat e larta të politikës, ku një kastë politikanësh e kanë parë dhe vazhdojnë ta shohin veten mbi ligjin. Që nga dita e miratimit, SHBA kanë qenë protagonistë në kapërcimin e pengesave të shumta vendore për zbatimin e kësaj reforme.

Aleanca për mbrojtjen e demokracisë dhe urdhri ekzekutiv për Shqipërinë, akte historike të Presidenti Biden, që e konsiderojnë korrupsionin një dukuri që cënon interesat kombëtare të vendit aleat ku ndodh dhe automatikisht edhe të SHBA, janë gjithashtu ndërmarrje të fuqishme që ndihmojnë për çlirimin e Shqipërisë nga pandëshkueshmëria në sferat e larta.

Koha shkon. Si për një ironi të historisë, duke parë produktin modest të organeve të drejtësisë së re në raport me qëllimin kryesor për të cilin janë ngritur, duke parë se përveç vonesave që janë të shpjegueshme deri diku, ka shenja të kthimit në identitetin e vjetër të këtyre organeve, duke parë se në vend që të pësojë goditje të forta shkatërruese pandëshkueshmëria në sferat e larta ka ngritur kokën, po tenton e madje duket se po ia del të rivendosë raportin e mëparshëm të kapjes dhe nënvendosjes së drejtësisë ndaj pushtetit politik, pra në gjithë këtë kontekst të zymtë, po merr formë inversi i të ashtuquajturit rrezik amerikan apo britanik për Shqipërinë. Do të thotë, një rrezik shqiptar për SHBA, Britaninë e Madhe, BE-në me dallimin se nëse i pari ka qenë ‘fake’, sajim i Hoxhës, i dyti është real .

Rrezik shqiptar për SHBA dhe Britaninë e Madhe? Dikush do të jetë duke qeshur, por nuk është dhe aq për të qeshur. Nuk është fjala për problemet që krijojnë në Angli dhe vende të tjera disa banda shqiptare. As për akte të tjera kriminale individësh e celulash me përbërje shqiptare në këto vende.

Fjala është për të keqen që nuk mundet. Për korrupsionin në sferat e larta që preket me majat e gishtave. Thoshte Rajmon Aron: kur një fuqi e vogël nuk mundet, do të thotë se po fiton. Dhe kur një fuqi e madhe nuk po fiton, do të thotë se po mundet.

Me dinakëritë dhe aleancat e tyre të interesit, që nuk kanë nevojë për takime dhe pakte, që shkruhen në ajër, duke simuluar sikur janë në beteja të ashpra, duke mbrojtur sekush të vetët nga llogorja partiake dhe duke kërkuar të imponojnë logjikën e balancimit të goditjeve, që në thelb i atribuon drejtësisë një mision që nuk e ka e nuk duhet ta ketë, krerët politikë të partive shqiptare, në qeveri dhe në opozitë, me Ramën dhe Berishën në krye, rrezikojnë të çojnë drejt dështimit reformën në drejtësi në qëllimin kryesor për të cilin u ngrit: ndëshkimin e zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë.

Janë zgjedhur gabim prokurorët dhe gjyqtarët të cilëve u është varur në qafë kjo këmborë? Janë zgjedhur me qëllim të dobët ? U kanë futur frikën, i shantazhojnë? Dobësia dhe frika shkojnë çift. Ndjehet se ka hezitim, vonesa, rrotullim në boshllëk për dosje dhe padi që ngrenë pritshmëri të mëdha në publik kur njoftohen, por që nuk hetohen, nuk çohen në gjykatë, nuk gjykohen, shfryhen rrugës. Së paku të shpallin se nuk ka vepra penale. Është më mirë për opinion publik. Heqim mendjen. Ku ta gjejmë që asnjë zyrtar i lartë nuk ka abuzuar, nuk ka shkelur ligjin! Le të mendojmë se korrupsionin në sistem e kemi nga alienët!

Dështimi i drejtësisë së re do të “normalizonte” dhe do ti zgjaste jetën për shumë vite korrupsionit masiv shtetëror, sundimit të krimit që do të bëhej edhe më i fuqishëm; vendi do të bëhej akoma më pajetueshëm për shumicën e njerëzve, zbrazja do të përshpejtohej pasi qytetarët do të humbnin edhe shpresën e fundit ku mbahen.

Shqipëri a rrezikon të shfaqet si një vend që nuk e bën drejtësinë e pavarur. Një vend ku krimi dhe korrupsioni janë përfundimisht më të fortë se drejtësia, megjithë investimin e madh nga partnerët. Një Shqipëri e tillë do të ishte frymëzimi më i madh për oligarkinë dhe malavitën në rajon e më gjerë.

Një dështim eventual i drejtësisë së re do të ishte në shumë plane në dëm të SHBA dhe parterëve perëndimorë.

SHBA-të kanë prioritete në Shqipëri. Reforma në Drejtësi është në top listën e tyre, fatmirësisht. Ata nuk do të heqin dorë. Në vartësi të rezultateve, partnerët mund të konceptojnë zgjidhje dhe instanca të tjera të përballjes me drejtësinë të korrupsionit dhe krimit në sistem në Shqipëri. Por ata nuk mund të dështojnë. Sidomos në kontekstin e sfidave të reja me të cilat po përballet aleanca e vendeve demokratike pas agresonit rus në Ukrainë. Nuk jemi në vitet pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar. Jemi në NATO. Amerikanët, britanikët, evropianët janë këtu me ne.

Por duhet të bëjmë pjesën tonë. Nuk e meritojmë drejtësinë e pavarur nëse nuk bëjmë pjesën tonë. Me qëndrime, me votë. Nuk duhet të bëjmë sikur nuk kuptojnë: kemi një elitë politikë që përpiqet t’i bëjë një gol të madh SHBA. T’u çojë dëm një investim në lartësinë e atij për çlirimin e Kosovës , në një fushë tjetër siç është demokracia dhe sundimi i ligjit në Shqipëri. A do ta pranojmë? Këtë pyetje duhej t’ja bëjë sekush vetes së tij në familjen e tij. Dhe të përgjigjet “jo” me indinjatë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb