Corriere della Sera i ka kushtuar një reportazh Shqipërisë, e sigurisht jo për mirë. Gazetari Antonio Ferrari që ka vizituar vetë vendin pak muaj më parë, i bazuar në informacione të shërbimeve sekrete italiane, thotë se në Shqipëri po zhvillohet një situatë e rrezikshme që ka lidhje me Italinë. Madje ai thotë se Shqipëria për Italinë është si Belgjika për Francën, para sulmeve të 13 nëntorit, një bazë xhihadistësh në Europë.

Sipas këtij reportazhi, NATO, SHBA-të, Rusia, BE-ja dhe Italia janë në alarm për terrorizëm duke shpjeguar arsyet.

REPORTAZHI I PLOTË I CORRIERE
Nuk është zakon i kësaj rubrike të kërkojë sensacione, të krijojë panik apo të lëshojë alarme, nëse nuk janë të justifikuara. Por kësaj radhe është e nevojshme të flasim për një situatë të rrezikshme që po zhvillohet në një vend Ballkanik, fqinj i joni, Shqipëri.

Për këtë vend të vogël është folur dhe është shkruar shumë, fillimisht për shembjen e sistemit komunist, pastaj për skandalin financiar të piramidave dhe më pas për luftën në Kosovë dhe për pasojat e tensioneve sociale që po provokonin një luftë civile. Tani Tirana është kthyer në qendër të vëmendjes për diçka tjetër.

Shqipëria është kthyer në vendtakim të xhihadistëve në Europë. Janë rreth 1000 ata që kanë pranuar të rekrutohen për të shkuar pranë trupave të shtetit të vetëshpallur të Kalifatit të Al-Bagdad, e të bashkohen në frontin e ri të vrasësve islamikë.

Kush është e reja që ka vënë në alarm NATO-n, SHBA-të, Rusinë, BE-në dhe në veçanti Italinë? Nuk është vetëm numri i të rekrutuarve që shumohen me ata të Kosovës dhe vendeve të tjera ballkanike, është fakti që siç pohojnë burime të Shërbimeve sekrete italiane, që rekrutuesit e ISIS po kërkojnë të rinj vullnetarë duke iu ofruar 2000 euro në muaj me kontrata të rëndësishme me kohë të përcaktuar. Klauzolat janë 2, guximi (kurajo) dhe njohja në perfeksion e gjuhës italiane.

Klauzola e fundit është e thjeshtë për t’u plotësuar sepse një pjesë e madhe e popullit shqiptar e njeh gjuhën italiane, e flet, ndjek lajmet, dëgjon festivalin e Sanremos me më shumë pasion se telespektatorët tanë dhe sapo mundet kalon Adriatikun për të vizituar qytetet tona. Ndërkohë që dihet se ekzistojnë baza të rëndësishme tranziti në Ankona dhe në Brescia. Ja pra, arsyeja e alarmit dhe fushatës intensive rekrutuese të ISIS. Në një hetim të bërë ditë më parë nga TG1, alarmi bazohej në frikën se Shqipëria mund të bëhej një bazë terroristësh për Italinë, ashtu si Belgjika për Francën në sulmet terroriste të nëntorit të vitit të kaluar.

Rreziku është edhe më serioz se sa thuhet. Në disa zona të Shqipërisë lulëzon tregtia e armëve që mund t’iu jepen kujtdo që paguan: si ISIS, apo formacioneve të tjera xhihadiste, ashtu edhe krimit të organizuar. Për një mitraloz mund të paguash rreth 600 euro. Në kohën e diktatorit Enver Hoxha, Shqipëria ishte vendi i vetëm në Europë, radikalisht laik dhe u shembën xhamitë, kishat, manastire. Pas rënies së komunizmit, priftërinj dhe imamë dolën në skenë duke u përpjekur të rikuperonin kohën e humbur. Fondacione super të pasura saudite, kuvajtiane, të Emirateve financuan ndërtimin e një rrjeti xhamish dhe propaganduan linjën më të vështirë të Kuranit por ishte e vështirë të ndotej deri në infektim total një popull inteligjent dhe punëtor që vijon të besojë në bashkëjetesën paqësore mes të gjithëve.

Kam vizituar Tiranën në shtator, falë ftesës të komunitetit të Sant Egidio që edhe në vendin ballkanik është prezent dhe shumë aktiv. Më pas kam vënë re në realitet konfirmimin e asaj që imagjinoja: vend energjik dhe elitar Shqipëria. Janë me dhjetëra bizneset italiane prezente për shkak të lehtësirave fiskale. Sigurisht, tani rreziku për sigurinë mund të shumëfishojë kufizimet dhe mund të lëndojë, për shkak të disa njerëzve dhe predikimeve të imamëve më të vështirë, vullnetin e shumicës që akoma në sy ka imazhin e Papa Franceskut gjatë vizitës së tij historike në Tiranë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb