TIRANE- Ish-­Prokurori i Përgjithshëm në vitin 1992, Maks Haxhia, sot avokat në profesion, tregon se për incidentin me avionin e Aleksandër Meksit në Rinas u hetua menjëherë dhe u ngrit akuzë penale.

I pyetur nga gazeta “Panorama”, Haxhia shprehet se sapo kryeministri Meksi është kthyer nga Italia, po atë natë është ngritur një grup pune që hetoi incidentin. “Grupi i hetimit u ngrit që atë natë kur mbërriti kryeministri Meksi në Tiranë. Në mos gabohem, ka filluar procedimi penal ndaj drejtuesve të aeroportit të Rinasit për ‘shpërdorim detyre’”, tha Haxhia. Sipas tij, në këtë incident nuk ka pasur asnjë tentativë për atentat apo eliminime, siç është publikuar në media.

“Nuk kishte asgjë nga këto që shkruhen sot, jo tentativa për eliminime apo atentate, por për shpërdorim detyre për mosmarrje të masave teknike dhe administrative për garantimin e sigurisë teknike të aeroportit për ulje ngritjet e sigurta në pistë. Unë u shkarkova më pas nga detyra e kryeprokurorit dhe nuk di si vijoi kjo çështje”, e mbyll rrëfimin e tij ish­Prokurori i Përgjithshëm, Maks Haxhia.

NGJARJA
Prej disa ditësh në media protagonistë të politikës së viteve të para të pluralizmit, kur PD-­ja mori pushtetin, kanë risjellë në vëmendje të publikut një incident që ka ndodhur në aeroportin e Rinasit me avionin që kthehej nga Italia ish-­kryeministri i parë demokrat, Aleksandër Meksi, kur për shkak të errësirës rrota e parë e avionit u thye dhe avioni shpëtoi pa marrë flakë.

Një nga dëshmitarët e ngjarjes, pjesë e delegacionit qeveritar, ish-truproja e kryeministrit Meksi, Fidel Ylli, ka treguar për gazetën “Panorama” të gjithë situatën. “Me informacionin që unë kam, nuk e
lidh me asnjë skenar konspirativ. Mungesa e dritave ishte lajmëruar edhe nga TVSH­-ja disa ditë përpara. Kjo është e vërteta, sepse unë isha pjesë e delegacionit, e bisedave të bëra me pilotët, e bisedës së
bërë të kryeministrit me Genc Rulin.

Pak ditë para se të ndodhte kjo ngjarje, Arjan Melonashi, gazetar i TVSH­-së, kishte bërë një reportazh nga Rinasi ku thoshte se në aeroport janë thyer dritat, të merren masa se këtu do të ndodhë ndonjë katastrofë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: