“Dua të shoh protestën live. Mami nuk vjen. Dua të iki me dajën dhe të vë maskë. Por dua edhe një kokore si policët.” Kjo frazë shoqëroi peshkun e së dielës në shtëpinë e prindërve. Ime bijë, trembëdhjetë vjeçe, nuk e dinte se sapo kisha lexuar dy shkrime. Njërin nga Helidon Haliti dhe tjetrin nga Ben Blushi.
I pari është i lënduar. I zhgënjyer nga të dyja fytyrat e Shqipërisë. Njëra i kujton fëmijërinë, tjetra përgjegjësinë e arsyes. Ai ka njohur Ramën që protestonte dhe sot i thotë atij që qeverisë : “Ik, të lutem!” Blushi na thotë se gurët e sotëm, janë pasojë e shkollave të djeshme. Të dy autorët e njohin Shqipërinë më gjatë se vajza ime. Dhe unë, në fund të kësaj të diele, nuk kam as guximin e sigurt të njërit dhe as shpjegimin e plotë të tjetrit. Kam vetëm një vajzë trembëdhjetëvjeçare që më kërkon një maskë. Dhe një pyetje që më rëndon më shumë se të gjitha analizat politike: Çfarë Shqipërie po i dorëzoj, nëse nuk di as si t’ia shpjegoj atë ku jeton? Nuk dua ta ndaloj të mendojë. Nuk dua ta mësoj të heshtë. Por nuk dua ta dërgoj mes gurëve për t’i mësuar demokracinë. Demokracia duhet të ketë edhe vende të tjera ku mësohet. Në shtëpi. Në shkollë. Në bibliotekë. Në një debat. Në një votim. Në një protestë paqësore ku njeriu nuk ka nevojë të fshihet për t’u dëgjuar.
Nuk dua të jem as një Helidon, që kërkon largimin e një njeriu. Nuk dua të jem as edhe një Blush, që shpjegoj revoltën e një brezi. Sepse vajza ime nuk është vetëm nxënëse e një shkolle. Është edhe nxënësja ime. E fjalëve që unë përdor. E heshtjeve që unë zgjedh. E mënyrës si unë reagoj, kur dikush nuk mendon njësoj. Sepse ndoshta fëmijët, nuk po bëhen ata që u kemi thënë të bëhen. Ndoshta po bëhen ata që na kanë parë të jemi.
Andaj z. Blushi, çfarë fuqie magjike duhet të ketë një mësues që, për gjashtë orë mësim, të korrigjojë gjithçka që fëmija sheh gjatë tetëmbëdhjetë orëve të tjera? Shkolla nuk jeton në një ishull dhe ti e di mirë këtë. Por ajo nuk jam e sigurt që di, është se jo çdo fëmijë që proteston është prodhim i një produkti urrejtje.
“Guri, pasi del nga dora, nuk pyet se kush ka të drejtë.”
Sakaq ju, z. Helidon, nëse Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ikën nesër, çfarë t’i them vajzës sime pasnesër? Se Shqipëria u shërua? Se drejtësia u bë më e drejtë? Një vend nuk shpëtohet vetëm duke i thënë dikujt “ik”. Apo harrove atë ç’ka të mësoi edukimi s’e kur ia atribuojmë të gjitha fatkeqësitë një njeriu, rrezikojmë t’i përgatisim vendin shpëtimtarit tjetër.
Ndërkohë, peshku po ftohej.
Polici kishte kokoren. Protestuesi maskën. Po qytetari, çfarë kishte?
Blushi e kërkon fajin te shkolla. Haliti te pushteti. Unë e shoh edhe në pasqyrë.
Unë nuk dua që vajza ime të ketë frikë nga shteti as nga polici. Dua t’i besojë.
Nuk dua të ketë frikë nga kryeministri. Dua të ketë të drejtën ta kundërshtoj.
Nuk dua të ketë frikë nga protesta. Dua të dijë pse proteston. Nuk dua që maska të jetë mënyra e saj për t’u ndjerë e guximshme. Dua që një ditë të ketë guximin të dalë me fytyrën e vet, me emrin e vet, me mendimin e vet dhe mbi të gjitha, dua që të mos ketë nevojë për kokore për të thënë atë që mendon. Dua të ketë arsye për të qëndruar në këtë vend.
Rri, të lutem!
Jo larg së vërtetës. Jo larg së drejtës për të protestuar. Por mos e merr atë dreq kokore, si kusht për të qenë qytetare. Sepse unë nuk dua të të rris për një luftë të trashëguar nga ne. Dua të të rris për një paqe, që ne ende nuk kemi ditur ta ndërtojmë. Dhe kur një ditë të më pyesësh çfarë bëra unë për këtë vend, dua të kem një përgjigje më të mirë sesa:
“Lexova dy shkrime.
-Dhe nuk dija çfarë të të thoja!”
