Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut  kanë shkëmbyer zjarr të dielën, duke ngritur kështu tensionet një ditë pas daljes së liderit Kim Jong Un, i cili për tri javë nuk u paraqit në publik.

Disa gjuajtje me armë janë dëgjuar në mëngjesin e së dielës në orën 07:41 me orën lokale, nga ana e Koresë së Veriut në drejtim të Koresë së Jugut, raportuan autoritetet. Bëhet fjalë për disa goditje ndaj një poste rojesh kufitare të Koresë së Jugut në qytetin kufitar qendror të Cheorwon. Ndërkohë nuk ka raportime për viktima nga ana e Koresë së Jugut.

Pas disa javëve të spekulimeve për shëndetin dhe vendndodhjen e liderit koreanoverior, media shtetërore koreane publikoi fotografi të një ceremonie inauguruese të shtunën në të cilën u paraqit Kim Jong Un.

Shkëmbimi i zjarrit është konfrontimi i fundit në mes dy vendeve që tanimë janë në luftë.

Si përgjigje, Koreja e Jugut gjuajti “dy raunde me armë zjarri dhe një njoftim paralajmërues sipas manualit tonë”, thuhet në deklaratën ushtarake.

Nuk është e qartë se çfarë provokoi të shtënat me armë. Shefat e përbashkët të shtabit (JCS) thanë se ata po përpiqeshin të kontaktonin Korenë e Veriut përmes linjës së tyre të “nxehtë” ushtarake për të përcaktuar shkakun e incidentit.

Kjo është hera e parë në pesë vjet që trupat e Koresë së Veriut kanë qëlluar drejtpërdrejt në Jug.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb