NGA: OLA MITRE*
Pagesa bazë e papunë sisë apo siç njihet ndryshe asistenca do të rritet në masën 60%, duke u bërë 11.000 lekë në muaj, nga 6.580 lekë që është aktualisht”. Gjithçka parashikohet në një Vendim të Këshillit të Ministrave, të miratuar ditën e djeshme, ndërkohë që rritja vjen pas disa vitesh që kjo pagesë nuk ndryshonte. Po ashtu, sipas ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, vendimi parashikon edhe zgjatjen e periudhës së përfitimit të kësaj pagese, pas humbjes së vendit të punës.

“Vendimi sjell edhe më shumë drejtësi për të gjithë ata që kontribuojnë në skemën e sigurimeve shoqërore. Kështu, nga sot (dje), ata që kanë kontribuuar më shumë në skemë, do të përfitojnë më gjatë pagesën e papunësisë. Ata që kanë paguar më pak, sigurisht edhe do të përfitojnë më pak. Por, synimi ynë është që të zbusim sa më shumë shkallën e papunësisë në vend. Për këtë arsye, zyrat e punësimit në të gjithë Shqipërinë, i ofrojnë falas çdo përfituesi të pagesës së papunësisë mundësinë për të thelluar njohuritë e tyre profesionale pranë qendrave të formimit profesional”, tha Klosi.

Megjithatë sipas vendimit të qeverisë nuk kemi rritje por ulje të përfitimit sipas periudhës kontributive. Aktualisht, çdo punëkërkues i papunë që arrin të përfitojë pagesë papunësie paguhet: Për 12 muaj për herë të parë, për 10 muaj për herë të dytë dhe për 8 muaj për herë të tretë. Ndërkohë që sipas vendimit të ri personat me një periudhë kontributi të paktën një vit do marrin vetëm tre muaj asistencë, personat me 5 vjet periudhë kontributi do përfitojnë 9 muaj asistencë ndërsa ata me mbi 10 vjet do të marrin 12 muaj pagesë papunësie.

PËRFITIMI
Me pagesën e papunësisë mbështeten financiarisht të gjithë punëkërkuesit e papunë në rast papunësie për shkak të shkurtimit të vendit të punës, ndërprerjes së kontratës së punës, falimentimit të ndërmarrjes, zvogëlimit të aktivitetit etj. Për ta përfituar këtë pagesë, duhet të plotësohen edhe një sërë kushtesh, ku kryesori është që çdo person duhet të ketë kontribuar në sigurimin shoqëror për një periudhë të paktën 12-mujore, për çdo rast përfitimi. Po ashtu, ai duhet të jetë regjistruar si punëkërkues i papunë pranë zyrës përkatëse të punësimit, të paraqesë kërkesën me shkrim dhe të ketë plotësuar dokumentacionin përkatës, brenda 60 ditëve nga data e lindjes së të drejtës, për t’i përfituar këto të ardhura.

Gjithashtu, çdokush duhet të pranojnë të punësohet ose të kualifikohet kur u ofrohet nga zyra përkatëse e punësimit. Ndërkaq, në tabelën bashkëngjitur shkrimit gjeni dhe dokumentet që duhet të plotësohen në rast se dëshironi të përfitoni këtë pagesë.

KUSHTET E PËRFITIMIT DHE DOKUMENTACIONI
-Përfitojnë të ardhura nga papunësia personat, të cilët plotësojnë kushtet e mëposhtme:
Të kenë kontribuar në sigurimin shoqëror për një periudhë të paktën 12 mujore (për çdo rast
përfitimi)
-Të jenë regjistruar si punëkërkues të papunë pranë zyrës përkatëse të punësimit
Të kenë paraqitur kërkesën me shkrim dhe të kenë plotësuar dokumentacionin përkatës,
brenda 60 ditëve nga data e lindjes së të drejtës, për t’i përfituar këto të ardhura
-Të pranojnë të punësohen ose të kualifikohen kur u ofrohet nga zyra përkatëse e punësimit
DOKUMENTET
Personat, të cilët aplikojnë për të përfituar të ardhura nga papunësia, së bashku me kërkesën,
duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
-Librezë pune;
-Kartë e identitetit (fotokopje);
-Certifikatë e gjendjes familjare;
-Vërtetim nga dega e Tatim-Taksave, se personi nuk është subjekt i regjistruar pranë këtyre
organeve;
-Vërtetim për ndjekjen e shkollës, për fëmijët deri në 18 vjeç;
-Vërtetim për vazhdimin e studimeve të larta, për fëmijët deri 25 vjeç;
-Vërtetim nga KMCAP-i për deklarimin e paaftësisë për punë, për personat në ngarkim;
-Vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore, që njëri nga bashkëshortët nuk është
përfitues pensioni të plotë;
-Vërtetim nga kadastra, nëse ka tokë në pronësi.
Një person, që përfiton të ardhura nga papunësia detyrohet të njoftojë, brenda 5
ditëve, zyrën përkatëse të punësimit, kur:
-Ka ndryshime në gjendjen familjare;
-Personat, që janë në ngarkim të tij, kanë mbushur moshën 18 vjeç, dhe ata që studiojnë apo
janë të paaftë për punë kanë mbushur moshën 25 vjeç;
-Kanë ndryshuar kushtet e tjera të përfitimit të të ardhurave nga papunësia.
Personat nuk përfitojnë apo u ndërpritet e ardhura nga papunësia kur:
-Pa arsye nuk pranojnë të ndjekin programe punësimi, me pagesë të përshtatshme, të ofruara
nga zyra përkatëse e punësimit, për aq kohë sa zgjasin këto programe punësimi;
-Refuzojnë, pa argumente të arsyeshme, të marrin pjesë në kurse trajnimi e kualifikimi, me
pagesë, të ofruara nga zyra përkatëse e punësimit për aq kohë sa zgjat kursi i trajnimit.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: