Për të hyrë në Kalanë e qytetin muze të Beratit, që prej janarit të këtij viti, duhet të paguash 200 lekë (të reja). Dyfishimi i çmimit të biletës së hyrjes ndodhi menjëherë pas urdhrit të Ministrisë së Kulturës në 10 dhjetor të 2019-ës për ndryshimin e tarifave të çmimit të biletave për të vizituar muzetë, sitet arkeologjike dhe kalatë. Nga ky tarifim për hyrjen në Kalanë e qytetit të Beratit nuk janë përjashtuar as vetë qytetarët beratas, të cilët tashmë për tu futur në një prej lagjeve të qytetit ku kanë lindur dhe janë rritur, duhet të paguajnë 200 lekë.

Ky vendim i marrë nga Ministria e Kulturës e që po gjen zbatim nëpërmjet biletave elektronike në Portën Hyrëse të Kalasë që prej fillimit të këtij viti, ka irrituar mjaft banorët e Kalasë dhe gjithë qytetit, të cilët i kanë kërkuar bashkisë të kërkojë heqjen e tarifës së hyrjes për qytetarët beratas. Sipas banorëve, ky vendim i marrë nga Ministria e Kulturës është qesharak dhe ka penguar çdo qytetar beratas të udhëtojë drejt kalasë së qytetit. Banorët shprehen se shumë familje beratase udhëtojë drejt Kalasë së qytetit, qoftë edhe për të pirë një kafe, po sapo njihen me çmimin e biletës kthehen menjëherë mbrapsht dhe largohen. Sipas banorëve, çmimi i biletave duhet të jetë vetëm për vizitorët vendas dhe ata të huaj por jo për qytetarët beratas që janë rritur në gurët e kësaj kalaje. Ky vendim po çon drejt falimentimit edhe bizneset që ndodhen brenda perimetrit të kështjellës shekullore. “Po shkojmë drejt falimentimit. Askush nuk hyn më në kala dhe lokalet janë bosh. Pandemia frenoi turistët por qeveria shkatërroi bizneset në këtë Kala”-shprehen pronarët e bizneseve brenda kalasë, për të cilët muajt e verës shënonin edhe pikun e punës së gjithë vitit.

Para ankesave të shumta të qytetarëve, bashkia e Beratit i ka përcjellë shkresa të vazhdueshme zyrtare Ministrisë së Kulturës, ku i kërkon heqjen e tarifimit për hyrjen në kala të beratasve por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje. Të pyetur në lidhje me këtë shqetësim të banorëve beratas, drejtuesit e DRKK Berat shprehen jashtë kamerave se ky është një urdhër i Ministrisë së Kulturës dhe jo i Drejtorisë Rajonale.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: