Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Është bërë dje në Himarë prezantimi i nismës “Trashëgimia – Motor Zhvillimi”, një projekt i Ministrisë së Kulturës. Takimi është bërë pranë Kishës së Shën Spiridhonit në Vuno e të pranishëm kanë qenë kryeministri Edi Rama, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës Arta Dollani. Rama tha se, “ky program i ri që përfshin Vunoin dhe Dhërmiun e vjetër është një program rijetëzimi, duke ndërhyrë në mënyrë kapilare qelizë më qelizë në të gjitha muret, dritaret, çatitë, për t’u kthyer këtyre dy perlave të Jonit, por edhe të gjithë bregut të Shqipërisë rrezatimin e humbur në kaq shumë vite braktisje nga ana e shtetit, por edhe largimi i familjeve”. Sipas kryeministrit, “asnjë shtet në rajon apo Europë që do të kishte Vunoin, Dhërmiun, Himarën etj., s’do ia kishte lejuar vetes që për 20 e kusur vite t’i linte në këtë katandi dhe të pranonte të rrënoheshin nën sytë e tij. Janë rrënuar vepra të jashtëzakonshme të historisë e kulturës sonë. Dimensioni i braktisjes së Kishës së Vunoit ishte kriminal. 110 monumente kulture janë vetëm në zonë e Vlorës. Shumica e 110 monumenteve të kulturës në Vuno, Dhërmi e Himarë. Nuk gjetëm asnjë inventar për monumentet e kulturës. Nuk gjetëm asnjë inventar për objektet e trashëgimisë kulturore”, tha kryeministri Rama në fjalën e tij. Kreu i qeverisë theksoi se, “do investojmë për turizmin, me qëllim që të gjitha shtëpitë të kthehen në funksion të turizmit”.

Ministria e Kulturës
Nisma synon që nëpërmjet restaurimit dhe rehabilitimit të vendbanimeve tradicionale dhe zonave të trashëgimisë kulturore të rijetëzohet sjellja dhe vlerat tradicionale të komunitetit, të rritet turizmi dhe si rrjedhojë, zhvillimi ekonomik i zonës. Objektivi kryesor sipas MK-së është restaurimi dhe rikualifikimi urban i territorit të fshatrave të bregut nëpërmjet konservimit, për ç’arsye vlera të trashëgimisë kulturore në fshatrat Dhërmi, Vuno dhe Himarë janë shpallur Qendër Historike dhe zonën e mbrojtur, në mënyrë që nëpërmjet tij t’i hapet rruga hapit tjetër- rritjes së turizmit dhe si rrjedhojë zhvillimit ekonomik të zonës. “Qëllimi është përgatitja e një metodologjie për ndërhyrjen e rehabilitimit në fshatin Dhërmi dhe Vuno, duke identifikuar gjuhën arkitektonike karakteristike të zonës dhe me fokus mostjetërsimin e peisazhit”, thotë ministrja, duke shtuar se “restaurimi dhe konservimi i secilës banesë tradicionale, evidentimi i vlerave historike, duke e përkthyer në gjuhë arkitektonike, e cila do të përdoret në të gjithë fshatin, për të nxjerrë në pah dhe konservuar vlerat e saj historike dhe artistike”.

Projekti
Në kuadër të programit “Trashëgimia – Motor Zhvillimi” do të zhvillohet edhe projekti “Rrugëtimi i Besimit”, itinerari i kishave të bregut. Sipas Ministrisë së Kulturës, janë gati projektet e restaurimit për 9 kishat më të rëndësishme të bregut në:
1. Dhërmi – Shën Stefanit, Kisha Ipapandisë, Shën Mëria e Pananisë. 2. Vuno – Kisha e Sotirës, Kisha Shën Nikollës, Kisha Shën Mëhillit, Kishës së Shën Mërisë Mesodhi; 3. Sarandë – Kisha e Mesopotamit dhe
4. Orikum – Kisha e Marmiroit.
Ndërkaq, do të bëhet edhe ndërhyrja në 515 banesa, në fasadë, në mbulesë dhe sistemimet e jashtme, duke i shtuar kësaj edhe riformulimin e gjurmës së rrugës kryesore, trajtimin dhe plotësimin e ndriçimit funksional dhe dekorativ, trajtimin e rrugëve sekondare, rivitalizimin dhe trajtimin e shesheve kryesore dhe ballkoneve panoramike, sinjalistikën orientuese brenda dhe jashtë, etj. Në muajin janar, me Vendim të Këshillit të Ministrave është bërë shpallja e Qendrës Historike të fshatit Dhërmi dhe Vuno dhe miratimi i rregullores për administrimin e saj e të zonës së mbrojtur përreth. Në vijim, Instituti i Monumenteve të Kulturës po përgatit procedurën edhe për fshatin Qeparo. Sipas regjistrit fiskal të vitit 1431, në fillim të shek. XV, zonat e bregut të detit ishin të populluara. Aty ngriheshin fshatrat e Vunoit, Qeparoit, Borshit, Lukovës, Himarës e Sopotit, këto të fundit kishin kalatë e tyre dhe ishin qendra të zonës.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: