TIRANE- Seanca e radhës e Kuvendit është përfshirë të enjten nga debatet dhe akuzat mes palëve për çështjen e konçesioneve në shëndetësi, reformën në drejtësi, partneritetin publik e privat, etj.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi reagoi ndaj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha se Partia Socialiste po tenton të sabotojë reformën në drejtësi.

Duke iu drejtuar Berishës, Ruçi tha se Komisioni i Venecias foli qartë: reforma është domosdoshmëri dhe duhet të bëhet sa më shpejt, foli qartë: punë e lavdërueshme e komisionit parlamentar dhe shumë ekselente e ekspertëve të nivelit të lartë shqiptarë. “Ti sot sulmove komisionin dhe ekspertët”, i deklaroi Ruçi-Berishës.

Nëse duam reformë në drejtësi, vijoi ai, në radhë të parë duhet të përulemi. “Nëse do të bëjmë reformë dhe do hiqen të inkriminuarit, atëherë duhet të jetë një kontigjent i pastër që do ta udhëheqë këtë reformë”, u shpreh kreu i grupit socialist.

Ai shprehu nevojën e konsensusit për të realizuar një reformë sipas standardeve, mbështetur në rekomandimet paraprake dhe më pas, në vijim, në raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias.

MIRATOHET PËRBËRJA E KOMISIONIT TË POSAÇËM PARLAMENTAR PËR REFORMËN ZGJEDHORE
Kuvendi miratoi të enjten përbërjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, i ngritur me një vendim të parlamentit në fund të sesionit të kaluar. Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste dhe tjetri nga Partia Demokratike, ndërsa anëtarësia e tij ka përbërje të barabartë mes shumicës dhe pakicës, me nga pesë anëtarë secila. Komisioni do e ushtrojë veprimtarinë për një afat tremujor nga data e mbledhjes së parë të tij. Përfaqësuesit e maxhorancës janë nga PS Bashkim Fino, si bashkryetar i komisionit, Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi, nga LSI do të jetë Petrit Vasili, ndërsa nga PDIU, kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi.

Ndërkohë nga PD do të jetë Oerd Bylykbashin, bashkëkryetar dhe anëtarë Gent Strazimirin, Eduard Halimin dhe Arben Ristanin, ndërsa nga Partia Republikane pjesë e komisionit do të jetë Fatmir Mediu.
Me 75 vota pro, Kuvendi miratoi edhe marrëveshjen me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Ofrimi i shërbimeve publike me në qendër qytetarin”. Opozita votoi kundër kësaj marrëveshjeje, ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Edi Paloka duke shpjeguar votën kundër të grupit të tij parlamentar tha se kjo është hera e parë që PD voton kundër një marrëveshjeje ndërkombëtare financiare.

Me 90 vota pro Kuvendi miratoi edhe marrëveshjen e bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave e Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në lidhje me lehtësimin e mbështetjes së agrobiznesit, BERZH-Shqipëri, llogari bashkëpunimi. Ndërsa rrëzoi me 72 vota kundër p/ligjin e propozuar nga deputetja Jozefina Topalli “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar”. Në seancën e sotme, Kuvendi miratoi edhe projektrezolutën e propozuar nga deputeti Sali Berisha për mirënjohjen e thellë për figurën e Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Me shumicë votash, Kuvendi miratoi edhe shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të moratoriumit të pyjeve, si dhe p/ligjin për disa ndryshime në ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. me 74 vota pro Kuvendi miratoi Klodion Shehun si anëtar të Bordit të Autoriteti të Mbikëqyrjes Financiare, propozim i vet këtij Bordi.

PALOKA: QEVERIA MERR BORXH PËR LUKS ZYRASH E TUALETE
Miratimi i marrëveshjes së huas me BERZH pa votat e opozitës ka ngjallur debatet e të djathtëve. Gjatë fjalës së tij, deputeti i PD-së, Edi Paloka pohoi se kjo është hera e parë që opozita voton kundër një marrëveshje për hua, ndërsa theksoi se këto shuma lekësh shkojnë për luks zyrash.

“Po merret borxh për tualetet e qeverisë, që nuk gjeneron asnjë të ardhur. Ndaj ne jemi kundër vazhdimit të marrjes së borxheve që zhysin ekonominë e vendit. Përfaqësuesi i mazhorancës kur foli për marrëveshjes se BB vazhdoi të deklaroi se i jep borxh qeverisë. Edhe Greqia fqinje mori borxhe pa fund, dhe sot ka falimentuar. Ne sigurisht nuk do pranojnë, ose do ngremë zërin tonë që ti bëjmë kësaj kambane alarmi për ata që dëgjojnë.”, tha Paloka.

TOPALLI: SHQIPTARË NGRIHUNI, BORXHI DHE MJERIMI JANË ULËRITËS
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u bëri thirrje shqiptarëve që të ngrihen kundër qeverisë.

“Nuk ka kohë më me prit që të ikin të tjerë shqiptarë, që dikush të mos ngopet i zhytur në ato që ju çoni në vjedhje, në koncesione, në tendera. Ndoshta do vijë një ditë që dikush tjetër do ju japë ju me koncesion, por unë ftoj të gjithë shqiptarët që nuk bien dakord me këtë trajtim, ngrihuni, borxhi është ulëritës, mjerimi është ulëritës.”- deklaroi Topalli.

SPAHO: SHITËT SHPIRTIN TEK KONCESIONET. AHMETAJ: JU I KËPUTËT NË MES BIZNESET ME RAPISCAN-IN
Gjatë diskutimit të marrëveshjes së huasë me BERZH gjatë seancës së sotme parlamentare, deputeti i PD-së, Edmond Spaho nënvizoi se ekonomia po shkon gjithnjë e më keq, që borxhi është rritur, ndërsa qeveria e ka mendjen tek koncesionet.

“Qeveria e ka shitur shpirtin tek koncesionet, koncesionarët qeverisin popullin”,- tha ai. Në replikë, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha se rritjen ekonomike të Shqipërisë e ka konfirmuar edhe raporti i BB. Sipas tij “askush nuk i manipulon dot shifrat e BB”.

Ministri shtoi se “rritje serioze në vend kanë pësuar edhe investimet e huaja. Gati 950 milionë euro, rekord në shumë vite. Edhe raporti i fundit i BSH konfirmon rritje të sigurt të sektorëve, madje edhe rritjen e kredisë konsumatore”.

Ahmetaj komentoi edhe çështjen e koncesioneve, duke shtuar se: “Koncesionet janë të shumëllojshme, por konfirmoj se ministria nuk është autoritet kontraktues” Duke iu drejtuar opozitës, Ahmetaj shtoi: “Ju keni bërë rapiscan-in, i thatë bizneseve paguani 39 euro për cdo deklaratë, 39 euro megjithëse mbështesim biznesin. Do ju këpusim në mes me këtë faturë, j u thatë. Jo vetëm që e ulëm se na e latë në derë atë koncesion”.

BERISHA: RAMA T’I PËRGJIGJET THIRRJES SË BASHËS
Ish-kryeministri Sali Berisha tha se opozita ka deklaruar prej muajsh se jemi të gatshëm të punojmë. Sipas tij, nuk ka fat më të madh kur opozita të afrohet për konsensus. Berisha i ka bërë thirrje Ramës t’i përgjigjet thirrjes së kreut të PD-së.

“Për një qeveri është arritja më e madhe. Por zotëria e tij nuk do reformën. E di, kam qenë kryeministër, kam punuar me të për 3 muaj. Nuk i kam imponuar asgjë. Kreu i opozitës ka bërë ato ndryshime që ka dashur. Kështu është konsensusi. Do biem dakord për ato që biem dakord. Rama refuzoi në mënyrë të përditshme. Beson se duke nxitur cackej në media do të dalë vetë me flamurin e reformës. Doli vërtetë por me flamurin e zi të saj. Venecia dha ekspertizën. U desh që të vinin rekomandimet e Venecias, u desh të punohej me kulisa që të hiqte maskën dhe të dilte cili është. Komuniteti ndërkombëtar por e realizon qartësisht se kush po e bllokon. Reformë, s’mund të mashtrosh njeri. Reforma nuk bëhet as me 84, as me 68 vota por me 94 e mbi vota. Ideja kriminale që do blejë deputetë të opozitës tregoi fytyrën e tij. I bëj thirrje zotërisë t’i përgjigjet thirrjes së kreut të PD-së dhe të ulet. Të mos humbim kohë, të ulemi dhe të nisim punën për një reformë të vërtetë”, deklaroi Berisha.

Ai tha më tej se qeveria Rama-Kokëdhima është qeveria e hajdutëve të shtetit. “Sot këtu është një debat mbi abuzimet masive të kësaj maxhorance, të qeverisë Rama-Kokëdhima në koncesione.  Qeveria Rama-Kokëdhima është qeveria e hajdutëve të shtetit, është qeveria që ka vjedhur në një vit, më shumë se të gjitha qeveritë e marra së bashku në 25 vite. Ju ngriheni këtu dhe villni vrer. Janë 161 kontrata të firmosura për 430 HEC-e të cilat derdhin miliarda metër kub ujë në det pa asnjë vend. Në shekuj dhe mijëvjeçar vazhdonin rrjedhjen duke dhënë përmbytje por jo ndonjë vlerë tjetër. Ky ishte parimi që vendosim t’i kthenim në burime energjike. Asnjë s’ka treguar një kontratë të vetme me shkelje. Nuk them se nuk, por nuk janë të zotë. Në këto HEC-e qeveria harxhon asnjë qindarkë, në këto koncesione ju taksapagues nuk harxhoni asnjë qindarkë. Përkundrazi do të sjellin punësim”, tha ai.

Sipas Berishës, me këto kontrata të dashur qytetarë, me këto koncesione shteti nuk investonte një qindarkë, përkundrazi të gjithë këta të punësuar paguanin sigurime shoqërore e shëndetësore. “E gjithë kjo energji, paguante taksa. Pas 25 vjetësh, pas 30 vjetësh ato kthehen dhe bëhen pronë e juaja të dashur qytetarë, bëhen pronë publike dhe i shisni përsëri. Sektori privat investon 4 mln euro.  Hajdutët bëjnë pazare me energjinë që blejnë, të ndershmit duan prodhim në vend që ta pozitivizojnë balancin tregtar.

Këto janë koncesionet për të cilat ne ndihemi krenarë sepse ajo ishte infrastruktura energjetike më e rëndësishme. Borxhi i Shqipërisë ishte 870 mld lekë, sot është 1 trilion e 100 mln lekë, pra 1000 miliard që më datën 1 mars 2015. A keni një sens për të krahasuar gjërat. Qeveria e parë e këtij vendi, me një buxhet 10 herë më të vogël ia doli në 4 vjet të ndërtojë një segment autostrade 5-6 km dhe një rrugë prej 70 km Fushë-Krujë Milot me 2 korsi. Mund të jetë më pak. Ju nuk tregoni dot 1 km rrugë”, u shpreh Berisha.

Ai e ka quajtur më tej qeverinë, ‘qeveria e VC-ve dhe tualeteve’. “Por rrija me një ambasador para ca ditësh, më tha si ka mundësi, capo ndodh?! I thashë këta kanë hyrë dhe do dalin si qeveria e VC-ve dhe tualeteve. Pa ndërtuar asgjë, vetëm vjedh, vjedh, vjedh. Erdhëm, vodhëm, ikëm”, tha Berisha.

HARITO: MARRËVESHJA ME BERZH-N I HAP RRUGËN MODERNIZIMIT TE SHËRBIMEVE NDAJ QYTETARIT
Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito deklaroi sot ne Kuvend se marrëveshja me BERZH-per ‘ofrimin e shërbimeve publike me në qendër qytetarin’, do t’i hapë rrugë modernizimit të vendit përmes teknologjisë së informacionit, si standardi që i përgjigjet kohës.

Seanca parlamentare nis te enjten me diskutimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe BERZH për projektin “Ofrimin e shërbimeve publike me në qendër qytetarin”.

Ky projekt i mbeshtetur nga Banka Boterore, synon te luftoje korrupsionin në sportelet publike duke vendosur standarde të reja në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Ministrja Harito tha se marrëveshja eshte ne vazhdon e reformave të ndërmarra nga qeveria, qe synojnë të jenë në shërbim të qytetarit dhe shtetit ligjor, si promotor i zhvillimit të vendit, konform standardeve.

“Ne ia arritëm të ulim çmimin e ilaçeve, të luftojmë kundër kanabisit, të ndërmarrim reformën në shërbimin civil, dhe punët publike, regjistruam biznesin në kuadër të luftës kundër informalitetit e të tjera reforma të rëndësishme, që duke i përmbledhur të gjitha sollën ne vend ofrimin e shërbimeve publike me standarde, në shërbim të qytetareve”, tha ministrja.
Sikurse kërkohet zbatimi i rregullave për biznesin dhe sektorin privat, ashtu po i zbatojmë ato edhe në administratën publike, tha Harito.

REFORMA ZGJEDHORE, KUVENDI VOTON SOT PËRBËRJEN E KOMISIONIT
Kuvendi pritet të miratojë të enjten në seancë plenare përbërjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, i ngritur me me një vendim të parlamentit në fund të sesionit të kaluar. Detyrë e komisionit është hartimi i amendamenteve për ligjin zgjedhor, si dhe trajtimi i rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe ato vendore të vitit 2015.

Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste dhe tjetri nga Partia Demokratike, ndërsa anëtarësia e tij ka përbërje të barabartë mes shumicës dhe pakicës, me nga pesë anëtarë secila. Komisioni do e ushtrojë veprimtarinë për një afat tremujor nga data e mbledhjes së parë të tij.

Tashmë janë bërë publike pothuajse të gjithë emrat me të cilët do të përfaqësohen partitë parlamentare në komision.
(el.sp/ma.ar/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb