Një zjarr i madh shpërtheu në një terminal rus të gazit natyror në portin Baltik të Ust-Luga. Objekti, i vendosur 110 kilometra në perëndim të Shën Petersburgut, pranë kufirit me Estoninë, operohet nga Novatek, prodhuesi më i madh rus i gazit natyror.

Nuk ka të lënduar si pasojë e zjarrit, pasi “personeli u evakuua menjëherë”, tha kreu i autoriteteve të rajonit të Leningradit përmes Telegramit, duke shoqëruar postimin me një video të shkurtër që tregon një zjarr të madh dhe tym që ngrihet.

“Një nivel i lartë alarmi është shpallur në rajonin Kingisepski,” pranë portit, shtoi ai.

Sipas faqes së internetit të Novatek, kompleksi në Ust Luga konverton gazin natyror në naftë, karburant avioni dhe përbërës të karburantit të anijeve.

Ministria e Emergjencave dhe departamenti i zjarrfikësve në zonë po punojnë për shuarjen e zjarrit, shtoi guvernatori rajonal Drazdienka.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS dhe disa mediave të tjera ruse, shkaku i zjarrit nuk dihet ende.

Megjithatë, sipas medias ruse Shot, banorët vendas thanë se dëgjuan një dron duke fluturuar dhe më pas shpërthime. Një tjetër media, Fontanka, raportoi se kishte pikasur të paktën dy dronë që fluturonin në drejtim të Shën Petersburgut përpara se të shpërthente zjarri.

Baza, një tjetër media dixhitale ruse që thuhet se kishte burime me shërbimet e inteligjencës ruse, ngarkoi video në Telegram që tregonte flakët që ngriheshin në qiell në një kompleks industrial.

Rusia dhe Ukraina shpesh synojnë infrastrukturën e njëra-tjetrës, duke nisur sulme që synojnë ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit dhe dëmtimin e palës kundërshtare, pasi lufta dyvjeçare nuk tregon shenja përfundimi në të ardhmen e parashikueshme.

Të premten, një dron goditi një depo karburanti në Bryansk, në Rusinë perëndimore. Moska fajësoi Kievin. Të enjten, një sulm ukrainas në një terminal rus të naftës në Balltik dështoi, sipas zyrtarëve rusë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: